Aktakuza për Prekazin: “Legija” ishte në krye të sulmit ndaj Jasharëve
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e rëndë të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt. Prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit,…
Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e rëndë të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, tha se bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit, është vërtetuar dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer krime lufte gjatë sulmit në Prekaz.
Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe. Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë — duke filluar nga mosha 5-vjeçare — gra dhe të moshuar. Përveç tjerash, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorë të lagjes Jashari, me të cilin rast i kishin maltretuar në mënyrat më të ndryshme” ka thënë Gashi.
Ai bëri të ditur se gjatë kësaj masakre janë vrarë 26 civilë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe të moshuar. Sipas aktakuzës, viktima më e re ishte pesëvjeçare.
Gashi tha gjithashtu se gjatë sulmit, pjesëtarë të forcave speciale serbe kishin marrë peng banorë të lagjes Jashari dhe i kishin maltretuar në forma të ndryshme.
Sipas Gashit, këtë njësi e ka udhëhequr Milorad Ulemek “Legija”, për të cilin tha se kishte marrë përsipër sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi sipas Prokurorisë Speciale janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve dhe sjelljen e tyre në procedurë penale.