Ahmeti: Thaçi nuk dha dorëheqje

Shpend Ahmeti thotë se drejtori i arsimit, Jusuf Thaçi kishte ardhur në komunë vetëm për t’i ndihmuar në fillim të mandatit. Sipas tij, Thaçi nuk ka dhënë dorëheqje.

Lajme

04/07/2014 12:18

(E plotësuar)

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se drejtori i Arsimit, Jusuf Thaçi nuk ka dhënë dorëheqje, por, sipas tij, do të largohet në bazë të marrëveshjes që kanë pasur. Ai ka paralajmëruar ndryshime edhe në drejtoritë tjera.

Ahmeti ka thënë për KosovaPress-it përmes telefonit se Jusufi ka pranuar t’i ndihmojë edhe pse ka qenë i angazhuar në projekte tjera.

“Nuk ka dhënë dorëheqje. Me disa drejtorë kemi pas marrëveshje që të na ndihmojnë në periudhën fillestare të tranzicionit. Arsimi është një prej tyre. Jusufi ka pranuar të jenë njëri prej tyre dhe të na ndihmojë, edhe pse ka qenë i angazhuar në projekte tjera. Për më shumë kemi konferencë javën tjetër ku flasim për krejt ndryshimet”, ka thënë ai. (Kosova Press)

——————————-

Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, ka paraqitur dorëheqjen nga kjo pozitë, për siç thuhet obligimeve të tjera personale e profesionale.

Ai ka thënë se dorëheqjen ia ka kërkuar kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, dhe se për më shumë detaje do ta informojë opinionin në një konferencë të përbashkët për media në ditët në vijim.  

“Unë tashmë kam kërkuar nga kryetari i Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, që të lirohem nga detyra e drejtorit të arsimit të kësaj komune, meqë sipas marrëveshjes besoj që faza e tranzicionit ka përfunduar me sukses në këtë drejtori, ndërsa unë kam shumë obligime të tjera personale e profesionale”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

“Për të gjitha detajet tjera do t’ju informojmë në një konferencë të përbashkët me kryetarin Ahmeti, sapo ai të kthehet nga Parisi. Me respekt, Jusuf Thaçi”.