Ahmeti mbjellë lule, premton parqe
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të martën ka mbjellë lule në parkun e qytetit, ku në mënyrë simbolike e ka filluar, siç ka thënë ai, politikën për gjelbërimin e hapësirave të kryeqytetit.
Lajme
“Sot fillon një aksion, një politikë e rritjes së hapësirave të gjelbërimit në komunën e Prishtinës. Sivjet e kemi thënë edhe më herët në bashkëpunim me ‘Hortikulturën’ do t’i mbjellim diku 360 mijë lule nëpër pjesë të ndryshme të Prishtinës që është diku gati më shumë se dyfishi nga viti i kaluar kur i kemi pas 160 mijë”, ka thënë Ahmeti, raporton KosovaPress.
“Gjatë këtyre ditëve do të fillojmë punët edhe në rifreskimin apo rifillimin e hapësirave gjelbëruese në disa lagje të Prishtinës, do të fillojmë në Dardani, do të vazhdojmë edhe në Ulpianë ku do ta mbjellim edhe një herë në disa pjesë barin ta rivitalizojmë”, ka thënë ai.
Ahmeti ka thënë se në bashkëpunim me “Hortikulturën” i ka identifikuar hapësirat e kryeqytetit, të cilat mund të gjelbërohen dhe se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt.
Kryetari i Prishtinës e ka përmendur edhe hapësirën përpara Pallatit të Rinisë, pjesë të cilën ka thënë se do ta pajisin me ulëse dhe nëse nuk do të ketë ndonjë problem ligjor, në këtë pjesë ta vendosin edhe memorialin “Heroinat”, për të cilin ende nuk është gjetur një vend i përshtatshëm.
Ahmeti ka premtuar se do të krijohen parqe edhe në lagjet të cilat nuk kanë ndonjë të tillë.