Ahengjet e ‘dhunshme’, kapen 80 revole, në dasma ka edhe kallashë

Krismat e armëve nuk munguan as këtë verë nëpër ahengjet në gjithë vendin, pavarësisht fushatës “Festo me zemër, jo me armë” të lansuar nga Qeveria e Kosovës me mbështetjen e disa qeverive evropiane. Në muajt qershor, korrik dhe gusht janë regjistruar 84 raste të të shtënave gjatë festave, prej të cilave 50 vetëm në muajin…

Lajme

23/08/2025 20:48

Krismat e armëve nuk munguan as këtë verë nëpër ahengjet në gjithë vendin, pavarësisht fushatës “Festo me zemër, jo me armë” të lansuar nga Qeveria e Kosovës me mbështetjen e disa qeverive evropiane.

Në muajt qershor, korrik dhe gusht janë regjistruar 84 raste të të shtënave gjatë festave, prej të cilave 50 vetëm në muajin e fundit, dhe kjo ende pa përfunduar ai muaj.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gashi, shpjegon se ky fenomen i vjetër midis shqiptarëve lidhet kryesisht me faktin që shumica e personave që përdorin armët janë me nivel të ulët shkollor dhe ndihen të pavlerësuar në shoqëri.

“Shumica e njerëzve që i përdorin këto armë janë të nivelit më të ulët shkollor, janë persona të cilët nuk kanë arritur ndoshta ta kenë një vlerë, sipas tyre, ashtu të madhe në shoqëri”, tha Gashi.

Ai theksoi se nevojitet një vetëdijësim më i fuqishëm në popull për të ndaluar këtë problematikë.

Edhe qytetarët e pyetur nga Klan Kosova ndajnë të njëjtin mendim.

Sipas të dhënave të Policisë, në gusht rajonet e Prishtinës dhe Gjakovës regjistruan numrin më të madh të rasteve me të shtëna armësh. Në Gjakovë, policia ka hasur madje edhe në përdorim të pushkëve automatike dhe të gjata, por në të gjitha këto raste, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, më e rreptë është vepruar nga Prokuroria e Prizrenit, e cila gjatë tre javëve të fundit ka dërguar në mbajtje të dyshuarit për pesë raste të ndara.