Abdixhiku: Tahir Zemaj dhe familja e tij mbeten simbol i sakrificës për Kosovën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen Zemaj, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të LDK-së, ka bërë homazhe me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, djalit të tij Enis Zemaj dhe Hasan Zemajt, ish-kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan. Duke e cilësuar këtë përvjetor si…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen Zemaj, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të LDK-së, ka bërë homazhe me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, djalit të tij Enis Zemaj dhe Hasan Zemajt, ish-kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.
Duke e cilësuar këtë përvjetor si të dhimbshëm, Abdixhiku ka kujtuar me respekt të thellë jetën dhe sakrificën e tre figurave që, sipas tij, ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë.
“Në këtë përvjetor të dhimbshëm, kujtojmë me respekt të thellë dhe dhimbje të madhe tre burra që ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai e përshkroi Kolonel Tahir Zemajn si një patriot të rrallë, ushtarak vizionar dhe strateg të luftës, i cili me guxim dhe mençuri udhëhoqi beteja vendimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin kundër regjimit serb, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rezistencës.
Abdixhiku theksoi se dhimbja për vrasjen e tyre vazhdon edhe pas më shumë se dy dekadash, veçanërisht për faktin se autorët e këtij krimi ende nuk janë vënë para drejtësisë.
“Ishte janari i acartë i vitit 2003, kur Kosova u trondit nga lajmi i kobshëm për ekzekutimin e Kolonelit Tahir Zemaj, të birit të tij Enisit dhe të kushëririt Hasan Zemaj. Ata u vranë pabesisht, vetëm sepse besuan dhe punuan për një Kosovë të lirë, demokratike dhe me institucione të forta”, ka theksuar ai.
Në nderim të kujtimit të tyre, kryetari i LDK-së e cilësoi Kolonelin Tahir Zemajn si figurë kyçe jo vetëm për çështjen kombëtare, por edhe për historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si aktivist i hershëm i saj dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
“Kolonel Tahir Zemaj mbetet simbol i sakrificës, dinjitetit dhe përkushtimit ndaj atdheut”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se padrejtësia ndaj familjes Zemaj dhe LDK-së vazhdon të mbetet e hapur.
Në fund, ai nderoi jetën dhe veprën e Kolonelit Tahir Zemaj, Enisit dhe Hasan Zemaj, duke shprehur lavdi për kontributin e tyre në lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. /Lajmi.net/