Abdixhiku refuzoi të garonte për Prishtinën, por tash po e pengon fitoren e Abrashit

Anketat e realizuara nga Riinvest flisnin për një rezultat të bindshëm për Ahmetin: 49.9 % e qytetarëve kishin thënë se do të votonin për të më 22 tetor, ndërsa 12 % të tjerë ishin shprehur të pavendosur, transmeton Gazeta Fjala. Në një rrethanë të tillë, Lumir Abdixhiku, duke besuar se nuk ka asnjë gjasë për…

Lajme

25/10/2017 18:59

Anketat e realizuara nga Riinvest flisnin për një rezultat të bindshëm për Ahmetin: 49.9 % e qytetarëve kishin thënë se do të votonin për të më 22 tetor, ndërsa 12 % të tjerë ishin shprehur të pavendosur, transmeton Gazeta Fjala.

Në një rrethanë të tillë, Lumir Abdixhiku, duke besuar se nuk ka asnjë gjasë për të personalisht dhe për LDK-në, duket se i ishte dorëzuar lehtësisht frikës.

Por, kështu nuk kishte menduar Arban Abrashi, një tjetër përfaqësues i gjeneratës së re që Isa Mustafa ka instaluar në partinë e tij.

Abrashi e kishte filluar me qetësi fushatën e tij dhe pothuajse krejtësisht i vetëm. Askush nga të rinjtë, përfshirë Lumir Abdixhikun e Vjosa Osmanin, nuk u panë në krah për ta mbështetur në atë që konsiderohej betejë tejet e vështirë.

Me një fushatë të jashtëzakonshme dhe me paraqitje të shkëlqyeshme në përballjet televizive me Shpend Ahmetin, ai kishte arritur t’i hapte rrugë vetes dhe rrufeshëm ta krijonte frymën e fitores.

Në mbrëmjen e 22 tetorit, sheshet e Prishtinës u mbushën me festën e simpatizantëve të LDK-së. Për ironi, festës, njësoj si dhe konferencës për media, i printe Abdixhiku.

Shpend Ahmeti nuk ia kishte dalë të fitonte pa balotazh në Prishtinë, ndërsa dallimi mes tij dhe Arban Abrashit ishte shpresëdhënës për mundësinë e përmbysjes në raundin e dytë më 19 nëntor.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, Shpend Ahmeti ka fituar në Prishtinë 34.682 vota, ose 43.49 %, ndërsa Arban Abrashi ka marrë 28.613 vota, ose 35.88 %. Pra, në mes janë vetëm rreth 6 mijë vota.

Tri ditë më vonë, Lumir Abdixhiku është shfaqur në opinion me një strategji të qartë e cila më shumë duket të ketë efekt për ta dëmtuar Arban Abrashin në balotazh.

Në paraqitjet e tij në dy televizione, Rrokum TV dhe Klan Kosova, të martën në mbrëmje, Abdixhiku kishte zgjedhur qëllimshëm një diskurs ofendues për Partinë Demokratike të Kosovës, për t’i shtyrë votuesit e saj që të votojnë kundër Arban Abrashit.

Për ta mbajtur të njëjtën linjë, atë të acarimit të elektoratit të PDK-së në Prishtinë, Lumir Abdixhiku polemizoi ashpër edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli gjatë seancës së sotme parlamentare.

Por, pse e bën këtë Abdixhiku?

Me fitoren e Abrashit në Prishtinë, Lumir Abdixhiku duket se nuk mund ta shohë veten në garë për kryeqytetin para tetë vjetësh. Ndërsa, me fitoren e Shpend Ahmetit, ai mund ta synojë Prishtinën pas katër vjetësh.

Për këtë, madje, flitet se ai kishte takuar bizneset e Prishtinës, nga të cilat kishte kërkuar përkrahje, duke u thënë se do ta niste fushatën qysh në janar, në mënyrë që pas katër vjetësh t’i hynte garës për kryeqytetin.

Kjo është arsyeja pse ai ka filluar të punojë për humbjen e Arban Abrashit, e për fitoren e Shpend Ahmetit, më 19 nëntor.

Votat e PDK-së, katër vjet më parë, kishin qenë vendimtare për fitoren e Shpend Ahmetit dhe humbjen e Isa Mustafës, një strategji kjo e krerëve të PDK-së për ta ulur momentumin e LDK-së.

Duke qenë parti, e cila e vendos fatin e Prishtinës, meqë ka rreth 10 mijë vota dhe elektorat lojal, PDK sot mund ta përdorë të njëjtin veprim taktik: ta ndihmojë LDK-në dhe ta dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje në Prishtinë.

I vetëdijshëm për këtë fakt, Lumir Abdixhiku ka filluar përpjekjet e tij për parandalimin e ndonjë afrimi të mundshëm të PDK-së me LDK-në, e rrjedhimisht edhe fitoren e Arban Abrashit në Prishtinë.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të LDK-së mësohet se intimisht kanë shprehur mllefin e tyre të madh, pas paraqitjeve të tilla të Abdixhikut, të cilat janë në kundërshti me politikat e partisë.

Ky debat i nisur brenda radhëve të LDK-së, pritet që të shpërthejë së shpejti edhe në publik, sepse me qasjen e Abdixhikut, i cili po mundohet ta portretizojë veten si “shpëtimtar” të LDK-së, ka edhe shumë të tjerë brenda LDK-së që nuk po pajtohen.