Abdixhiku: LDK është shpresë për Republikën

Kreu i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka shpërndarë një video të përmbledhur nga tubimi përmbyllës që partia e tij ka mbajtur të premten në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij ka deklaruar se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin…

Lajme

27/12/2025 11:27

Kreu i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka shpërndarë një video të përmbledhur nga tubimi përmbyllës që partia e tij ka mbajtur të premten në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij ka deklaruar se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.

Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.

“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe ku shteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, ka thënë Abdixhiku.

Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.

Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit.

“Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur. Dhe lodhja nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e drejtimit. Nga ndjenja se përpjekja individuale nuk po shoqërohet me politika të drejta dhe me institucione që funksionojnë”, shtoi Abdixhiku.

Abdixhiku po ashtu deklaroi se LDK-ja nuk është partie momentit, por e momenteve historike.