Abdixhiku i reagon Kurtit pas vendimit për nga 100 euro: Populli i Kosovës nuk blihet
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë në detyrë për ndarjen e një pagese prej 100 eurove për kategori të caktuara, si fëmijë, studentë, sektorin privat dhe pensionistët. E përmes një reagimi në Facebook Abdixhiku e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për ndikim elektoral, duke e quajtur “propagandë”…
Lajme
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë në detyrë për ndarjen e një pagese prej 100 eurove për kategori të caktuara, si fëmijë, studentë, sektorin privat dhe pensionistët.
E përmes një reagimi në Facebook Abdixhiku e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për ndikim elektoral, duke e quajtur “propagandë” dhe “blerje vote”.
“Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit! Populli i Kosovës nuk blihet. E ardhmja e tyre nuk është në shitje”, shkroi ai.
Abdixhiku gjithashtu tha se qytetarët nuk mund të trajtohen si objekt ndikimi politik dhe se dinjiteti i tyre nuk duhet të vihet në pikëpyetje për qëllime elektorale.
“Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”, tha Abdixhiku./Lajmi.net/