AAK-së, PSD-së e Vetëvendosjes nuk iu bëjnë përshtypje kërkesat e SHBA-ve e BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleati më i fuqishëm i Kosovës dhe Bashkimi Evropian – synimi i shtetit të Kosovës kanë disa kërkesa në raport me politikanët në Kosovë.

Lajme

19/09/2019 23:32

Mbyllja e procesit të dialogut me Serbinë është kërkesa e parë dhe eksplicite e të gjitha shteteve të rëndësishme të Evropës dhe SHBA-ve, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në “Stand by”, që nga vendosja e taksës 100 për qind nga qeveria e Kosovës ndaj importit të produkteve serbe.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka vendosur si kusht për heqje të taksës, njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, ndërsa, Serbia kusht heqjen e taksës për t’iu kthyer tavolinës së dialogut.

Shtetet e fuqishme të Evropës si Gjermania, Franca, Italia, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar zhbllokimin e dialogut, gjë që nuk ka ndodhur.

Madje, edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që kjo taksë të pezullohet për 120 ditë për të parë nëse Serbia do të reflektojë, por as kjo nuk funksionoi.

E qëndrimet e betonizuara edhe para zgjedhjeve të 6 tetorit po i mbanë përsëri kryeministri Haradinaj.

Edhe karshi presionit të SHBA-ve për pezullim të taksës dhe kërkesave të BE-së për rifillim të dialogut, Haradinaj është shprehur se taksa do të qëndroj deri në njohje.

Madje, simboli “100%”, është shndërruar edhe në moto të fushatës, të kryeministrit i cili dha dorëheqje për arsye ende të paqarta. Ai pati deklaruar fillimisht se ishte ftesa e Speciales që e bëri të japë dorëheqjen, por pastaj kishte përmendur edhe presionin e ndërkombëtarëve.

Jo-sinqeriteti i Haradinajt: Ftesa e Speciales apo presioni ndërkombëtar e bëri të japë dorëheqje?

E siç duket, qëndrimi i Haradinajt e ka joshur edhe partinë e Shpend Ahmetit t’i bashkohet AAK-së në listë zgjedhore.

Partia Socialdemokrate në koalicion me AAK-në dhe me kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn, nuk e kanë ndërmend të dëgjojnë kërkesat e miqve ndërkombëtarë, por do të mbajnë taksën.

E qëndrim të tillë për taksën ka edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili madje ka sfiduar ndërkombëtarët duke u shprehur se është i interesuar të njoftohet me presionin e tyre.

Kurti, shpesh ka deklaruar se vendimi për taksën është i drejtë, por se është i vonuar dhe kështu ka deklaruar se në qeverisjen e tij kjo masë do të qëndronte.

Kurti sfidon SHBA-të dhe BE-në: Nuk e heq taksën nëse i fitoj zgjedhjet, dua të di si duket trysnia e ndërkombëtarëve

Karshi të gjitha këtyre deklaratave, kërkesa eksplicite dhe e qartë e fuqive botërore qëndron: Të largohet taksa dhe palët t’i kthehen dialogut.

Se çfarë do të ndodh me dialogun Kosovë – Serbi, do të vendoset pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. /Lajmi.net/