AAK fajëson Qeverinë për ngrirjen e kosovarit në Hungari

Në një reagim sonte, pas lajmit për gjetjen e një kosovari të ngrirë në anën e kufirit hungarez me Serbinë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se “me keqardhje të thellë e mori lajmin për vdekjen tragjike nga të ftohtit të një qytetari të Kosovës, në rrugën e ikjes nga Kosova”.

Lajme

06/01/2015 21:47

AAK përcjell shqetësimin e thellë me këtë rast, i cili pas tragjedisë në lumin Tisa, është një prej më të rëndëve në kuadër të braktisjes masive të vendit nga të rinjtë dhe familje të tëra kosovare, si pasojë e jetës së rëndë e të pa perspektivë në vend.

AAK i konsideron si përgjegjëse të drejtpërdrejta të kësaj situate politikat e këqija të tashme e të deritashme qeverisëse në Kosovë, dhe fton për marrjen e masave në parandalimin e këtij trendi dhe të tragjedive të tjera me të rinjtë e vendit tonë.

AAK thekson gjithashtu, se disa herë ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për këtë fenomen dhe trend të rrezikshëm të braktisjes së vendit, por kërkesa për një seancë të tillë asnjëherë nuk e gjeti përkrahjen e të tjerëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, thuhet në reagimin e AAK-së të nënshkruar nga Jahja Lluka, kryesues i departamentit të Diasporës në AAK, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Jahja Lluka, kryesues i departamentit të Diasporës në AAK.