A ka ekzistuar Babagjyshi i Vitit të Ri? Kjo është historia e vërtetë

Për të gjithë skeptikët; Babagjyshi i Vitit të Ri ndoshta ka ekzistuar në të vërtetë.

Fun

07/12/2021 15:19

Për shumë fëmijë, veçanërisht ata që janë sjellë mirë gjatë gjithë vitit, pjesa më emocionuese e Krishtlindjeve është zbulimi i dhuratave të vendosura nën pemën e Krishtlindjes dhe ëmbëlsirat e fshehura në çorape të varura pranë oxhakut, shkruan Tiranapost.al.

Fëmijëve u thuhet shpesh se dhuratat u lanë nga Babagjyshi gjatë udhëtimit të tij vjetor rreth botës në një slitë të tërhequr nga nëntë drerë fluturues, transmeton lajmi.net.

Por, si ranë dakord kaq shumë njerëz për këtë histori?

Pavarësisht nëse e besoni apo jo se Babagjyshi është një person i vërtetë që hyn në shtëpinë e çdo fëmije me anë të një oxhaku për të lënë dhurata, figura legjendare dhe tradita e dhënies së dhuratave mund të gjurmohen që nga kolonistët holandezë.

Kur u vendosën në qytetin e sotëm të Nju Jorkut gjatë shekullit të 17-të, ata sollën legjendën e tyre për “Sinterklaas” dhe zakonin e lënies së dhuratave për fëmijët në prag të 6 dhjetorit. Prej aty, vepra letrare të shekullit të 19-të si poema e njohur si “Nata para Krishtlindjeve” dhe një fushatë publicitare e Coca-Cola-s në mesin e shekullit të 20-të e transformuan “Sinterklaas” nga një peshkop i shenjtë në një Babagjysh me mjekër të bardhë dhe me kapuç të kuq që të gjithë e njohin sot.

Por kush është Sinterklaas, zotëria i moshuar i veshur si peshkop që u sjell dhurata fëmijëve holandez në fillim të dhjetorit?

Sinterklaas bazohet në Shën Nikollën e Myrës, i cili, sipas traditës së krishterë, ishte peshkop në një qytet të vogël romak gjatë shek IV. Reputacioni i Nikollës për bujarinë dhe mirësinë krijoi legjenda të mrekullive që ai kreu për të varfërit dhe të pakënaqurit. Sipas një historie, Nikolla riktheu në jetë me anë të lutjes tre fëmijë të cilët ishin copëtuar nga një kasap.

Një histori tjetër përshkruan se si një Nikolla i ri siguroi fshehurazi pajën e martesës duke hedhur flori në oxhaqet e tre vajzave, të cilat varfëria do t’i detyronte të futeshin drejt prostitucionit. Vdekja e Nikollës më 6 dhjetor festohet tani si dita e festës së tij. Eshtrat e tij të supozuara u hoqën nga kisha e tij në Myra në 1087 në Bari, Itali. Vendi u bë më pas një destinacion popullor për pelegrinët.

Tregime të tilla për Shën Nikollën u rritën gjatë mijëvjeçarit të dytë dhe u përzien me tradita të tjera – si dhe me veprat e një tjetër Shën Nikolla (të Sionit) – kështu që ai u bë një figurë legjendare sa është tani Babagjyshi. Megjithatë, gjatë shekullit të 20-të, disa historianë u përpoqën të ndanin Nikollën historike nga miti. Hetimi i tyre i bëri ata të dyshonin për vetë ekzistencën e peshkopit. Ai nuk la asnjë shkrim dhe nuk kishte dishepuj. Emri i tij nuk përmendej në asnjë tekst bashkëkohor; referenca më e hershme është më shumë se 200 vjet pas vdekjes së tij të supozuar, dhe biografia e parë u shkrua rreth 300 vjet pas kësaj.

Ndërsa pasiguria rreth ekzistencës së tij u pasqyrua në shënimet e rishikuara mbi Nikollën në librat e shenjtorëve, disa historianë pohuan se Shën Nikolla kishte jetuar dhe kishte kryer shumë akte mirësie dhe bujarie. Ata argumentuan se mungesa e dokumentacionit gjatë jetës së tij nuk ishte provë e mungesës së tij dhe kërkuan një rishqyrtim të teksteve që e kishin shpërfillur. Besimtarë të tjerë pohojnë se ndërtimi i kishave kushtuar atij gjatë mesjetës së hershme është dëshmi e mjaftueshme.

Argumentet dhe zbulimet ofrojnë disa arsye bindëse për të mos shpërfillur plotësisht ekzistencën e Nikollës. Pra, a mund të përcaktojmë nëse Babagjyshi ishte një person i vërtetë? Përgjigja është, varet nga besimi juaj. /Lajmi.net/