Beson në Obiliq
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte sot i pranishëm në Obiliq, ku kërkoi votat për kandidatin Vehbi Sadiku.
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar fushatën dorë me dorë me qytetarët e komunës së Obiliqit.
Thaçi, për një orë, ka takuar obiliqasit, duke kërkuar nga ta që të votohet kandidati i kësaj partie për Kryetar të Komunës së Obiliqit, Vehbi Sadiku, raporton Kosovapress.
Banorët e Obiliqit i kanë bërë komplimente prej më të ndryshmeve Kryeministrit të Kosovës, e disa pleq nuk kanë hezituar ta quajnë atë edhe si Ismail Qemajlin e Kosovës.
Disa të tjerë, kryesisht fëmijë, i kanë kërkuar Kryeministrit Thaçit që mos të ndalet shpesh rryma në këtë qytet.
Kryetari i PDK’së nuk ka pasur asnjë hamendje se partia që drejton dhe kandidati për Obiliq do të dalin fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Ai ka thënë se Kandidati i PDK’së në këtë Komunë është edhe vullneti i qytetarëve të Obiliqit.
“Ishte kënaqësi e veçantë që për mua të jem sot në Kastriot, të takohem me qytetarët e kësaj komune. Jam i bindur se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, kandidati i saj është edhe vullneti i qytetarëve të Obiliqit – Kastriotit”.
“Besoj fuqishëm në mbështetjen e qytetarëve në fitoren e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Vehbi Sadiku. Besoj fuqishëm në punën dhe angazhimin e profesor Sadikut”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, Vehbi Sadiku, ka uruar qytetarët e Obiliqit për fitoren, sipas tij, të PDK’së në këtë Komunë.
Ai ka falënderuar Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme.
“Unë jam shumë i bindur se Partia Demokratike e Kosovës, kësaj radhe do të fiton në Kastriot prandaj urime të gjithëve fitorja e Partisë Demokratike!” ka uruar ai.