30 vite burgim për Aziz Gashin i cili e vrau me 10 shkrepje të kallashnikovit Beqir Morinën më 2023 në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor Aziz Gashin për vrasjen e Beqir Morinës më 3 shtator në Prizren. Ai është dënuar me 30 vite burgim, shkruan lajmi.net. Aziz Gashi e ka vrarë Beqir Morinën duke i shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës Beqir Morinën, i cili humb jetën në…

Lajme

29/10/2026 11:01

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor Aziz Gashin për vrasjen e Beqir Morinës më 3 shtator në Prizren.

Ai është dënuar me 30 vite burgim, shkruan lajmi.net.

Aziz Gashi e ka vrarë Beqir Morinën duke i shkrepur një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës Beqir Morinën, i cili humb jetën në vendin e ngajres.

Komunikata e plotë e Gjykatës:

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, (Kryetarja e trupit Gjykues– Sadije Selmani, dhe anëtarët Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani) ka shpallur aktgjykim DËNUES ndaj të akuzuarit A.G., për shkak se

ËSHTË FAJTOR,

Me datë 03 shtator 2023, rreth orës 18:45 min, në Prizren, në lagjen “Arbanë”, në rr. “Çerçiz Topulli”, i akuzuari A.G., privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e më shumë personave, në atë mënyrë që pas një zënke të çastit që kishte ndodhur disa minuta më parë në mes të të akuzuarit dhe viktimës, i akuzuari A. me automjetin e tij niset në drejtimin e shtëpisë së tij nga ku e merr armën e gjatë AK-47, hip në automjet dhe niset në drejtimin e viktimës, kur vjen në vendin e ngjarjes e vëren viktimën B.M., i cili ishte duke ecur në shoqëri me të dëmtuarat H.Th., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza e viktimës), dhe të dëmtuarit RM., dhe H.Sh., atëherë i akuzuari A.G., u del përballë me automjet, i pajisur me pushkën automatike Type 56 -variant e tipit AK-47, e kalibrit 7.62×39 mm, zbret nga automjeti, shkrep një rafal në drejtim të viktimës B.M., me ç’rast të njëjtin e godet në pjesën e përparme të trupit, nga goditjet e marra viktima rrëzohet në tokë, i akuzuari i afrohet viktimës ia drejton armën në kokë dhe e ekzekuton duke shkrepura edhe një rafal prej dhjetë plumbave në drejtim të kokës së viktimës me ç’rast e godet të njëjtin në kokë, viktima nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, të dëmtuarat H. dhe

A.M., gjatë tërë kohës kanë qëndruar afër viktimës ndërsa i dëmtuari R.M., dhe H.Sh., arrijnë të fshihen nga i akuzuari, më pastaj i akuzuar A.G., largohet në drejtim të automjetit të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, e me këtë rast të dëmtuarve H.M., (bashkëshortja e viktimës), A.M., (vajza e viktimës), R.M, dhe H.Sh., u rrezikon jetën.

Me këtë ka kryer veprën penale – Vrasja e rëndë nga neni 173 par. 1 pika 1.5 (privon nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë) të KPRK.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit A.G., e GJYKON:

– DENIM ME BURGIM në kohëzgjatje 30 (tridhjetë) Vitesh

– Ndaj të akuzuarit A.G., është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

SHËNIM: Ndaj të akuzuarit A.G., (lidhur me ngjarjen e njëjtë) për 2 (dy) vepra penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1, dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KP-së, me datë 16.05.2024, është shqiptuar Aktgjykim Dënues, me të cilin është shpallur fajtor, dhe i është shqiptuar DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, dhe Dënim me GJOBË në shumën prej 500 (pesëqind) Euro.