Raporti i Stabilzimit
Komisioni Europian, pas pak çastesh, do ta publikojë raportin e vet vjetor për Kosovën. Ky raport i jep Kosovës dritën jeshile për ta negociuar MSA’në dhe lavdëron Prishtinën për konstruktivitet në dialogun me Beogradin.
Lajme
Komisioni Europian pritet që sot t’i hapë rrugën përfundimisht hapjes së negociatave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian për Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim.
Komisioneri i BE’së për Zgjerim, Stefan Fule do ta publikojë sot në Bruksel Raportin e Progresit për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, në të cilin do të përfshihen zhvillimet në vendet përkatëse në fusha të ndryshme që kanë ët bëjnë me rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Lajmi.net ka siguruar një version të raportit në të cilin i jepet drita jeshile hapjes së negociatave për MSA, të cilat thuhet se do të fillojnë në fund të këtij muaji dhe pritet të mbyllen në verë të vitit të ardhshëm.
Raporti përkujton se në qershor të vitit të kaluar, Këshilli Europian ka autorizuar hapjen e negociatave për Marrëveshjen për Stabilizm- Asocim ndërmjet BE’së dhe Kosovës, ndërsa ato “formalisht do të hapen gjatë këtij muaji”.
“Raundi i parë i negociatave do të mbahet pak kohë më vonë”, thuhet në raport.
Por paraprakisht Kosovës i është dashur t’i adresojë një numër prioritetesh të theksuara në Studimin e Fizibilitetit të publikuar një vit më parë.
“Kosovës iu desh të vazhdojë t’i implementojë në besim të mirë të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në një varg çështjesh, me lehtësimin e BE’së. Ajo gjithashtu është dashur të ndërmarrë hapa në disa prioritete afatshkurta në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjen e pakicave dhe tregti”, thuhet në këtë raport.
Por pika ku Kosova është lavdëruar më së shumti në raportin e sivjetmë të Bashkimit Europian është dialogu me Serbinë, çështje e cila ka qenë në krye të agjendës politike të Prishtinës.
Raporti i Progresit thitë se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në mënyrë konstruktive në një dialog i cili është ngritur në nivelin më të lartë përfaqësues politik me lehtësimin e Përfaqësues së Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri pas zgjedhjeve të vitit 2012 në Serbi.
“Janë mbajtur 16 takime ndërmjet dy kryeministrave deri në muajin tetor të këtij viti. Një takim gjithashtu ka ndodhur ndërmjet Presidentëve Nikiolic dhe Jahjaga në muajin shkurt dhe ata kanë vazhduar të takohen në kontekst të iniciativave të ndryshme në qershor dhe korrik”.
“Që nga janari i vitit 2013, takimet e dy kryeministrave janë fokusuar në Veriun e Kosovës dhe krijimin e strukturave të cilat përmbushin nevojat e popullatës lokalë në çështje të sigurisë dhe drejtësisë në mënyrë që të sigurohet një strukturë e vetme institucionale dhe administrative në Kosovë, në harmoni me Konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit të vitit 2012”, thuhet në raport.
Raporti thotë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, e nënshkruar në prill nga Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic paraqet një “ndryshim fundamental në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve”.
Raporti përmend edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të cilat, sipas BE’së duhet të zhvillohen në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare.
Në raport gjithashtu kërkohet që Kosova të vazhdojë reformat në drejtësi.