Rënia dhe Shkëlqimi i Dardanisë

Agim Çeku thotë se ka plan si t’ia kthejë Dardanisë shkëlqimin. Edhe Prishtinës, po ashtu. Ai kërkoi ta bëjë një kontratë me banorët e saj.

Lajme

12/10/2013 16:42

Agim Çekut po i dhimbset Lagjja Dardania.

Një Lagje e bukur, siç e përshkroi ai, së bashku me Prishtinën, tha se meriton një trajtim më të mirë.

Kandidati i PDK’së për Prishtinën, për zgjedhjet e 3 nëntorit, të shtunën, derisa qëndroi në Dardani, tha se ka një plan për t`ia kthyer shkëlqimin kësaj Lagjeje.

“Me skuadrën time fituese për Prishtinën, jemi në vizitë në Lagjen Dardania, e cila është identitet, por dhe bosht kurrizor i Prishtinës”.

“Një lagje shumë e bukur, që as Prishtina por as Dardania nuk e meritojnë një gjendje të tillë dhe nuk e meritojnë një qeverisje të tillë çfarë e kanë sot”.

Ndryshimet, sipas Çekut, do të ndodhin më 3 nëntor. Përveç votës, ai kërkoi të lidhë edhe një kontratë me banorët e Dardanisë.

“Ne jemi këtu sot për ta parë situatën, për të bashkëbiseduar me qytetarët, e për të premtuar ndryshim. Dhe, ky ndryshim, pa dyshim që do të ndodhë më 3 nëntor të këtij viti.”

“Jam këtu, jo vetëm për të kërkuar votën e qytetarëve të Dardanisë, por edhe të lidhur kontratë katërvjeçare me ta. Pjesë e kësaj kontrate është oferta ime dhe projektet që i kam për Dardaninë.”

“Do t’ia kthejë identitetin dhe shkëlqimin kësaj Lagjeje, por edhe Prishtinës në përgjithësi”.