Besnik i Bizneseve

Besnik Tahiri premton ulje të taksave komunale për bizneset e vogla. Ai thotë se zhvillimi ekonomik është prioriteti i AAK’së.

Lajme

09/10/2013 13:00

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, vizitoi sot bizneset e vogla në Kryeqytet, kryesisht ato hoteliere, ku prezantoi kontratën për biznese hoteliere dhe planin e tij për krijimin biznes-zonave, zhvillimin e afarizmit, përkrahjen, lehtësirat dhe ngritjen e kapaciteteve.

Tahiri në këto takime paraqiti planin e tij për qendrën e arsimit profesional dhe planin përcjellës infrastrukturor që rrit mundësitë e të bërit biznes.

“Zhvillimi ekonomik është prioriteti i ynë për ndryshim sepse Prishtina duhet zhvilluar duke u bazuar në shfrytëzimin e duhur dhe të ‘shëndoshë’ të kapaciteteve të saj ekonomike”.

“Zhvillimi ekonomik do të kalojë nëpërmes planifikimit më të mirë nga ana e institucioneve komunale për të arritur tek qytetari i cili me ne do të zotërojë dhe shfrytëzojë më mirë si pronën ashtu edhe potencialin e vet individual”.

“Për këtë ekzistojnë mënyra, forma dhe praktika tashmë të dëshmuara në kryeqytetet në rajon, e të cilat duhet shfrytëzuar me vendosmëri dhe maksimalisht. Në këtë drejtim, duhet planifikuar si duhet dhe në periudha më të gjata, duhet identifikuar objektiva të cilat mbështeten në resurse vetanake”.

“Zhvillimi, mes tjerash, duhet përkthyer në shërbim, në të ardhura, në edukim, në infrastrukture, në dije, profesionalizëm e kulturë”.

Tahiri premtoi uljes të taksave komunale.

“Zvogëlimi i taksave komunale për shfrytëzimin e hapësirave publike,  nga 8€/m2  të terrasave në 4€/m2, ndërkaq për çadrat nga 4€/m2  në 2€/m2;Sezoni i taksimit me tarifa verore nga  gjashtë muaj do të kthehet në muaj”

“Ulje në 50 për qind të taksave komunale për të gjithë bizneset e vogla aktuale, që do të punësojnë dy punëtorë të rinj dhe heqjen e taksave komunale dy vite për gjitha bizneset e reja”.

Kandidati i AAK’së për Prishtinën premtoi se prona publike komunale dhe gjithë infrastruktura do të jetë në shërbim të bizneseve, në mënyrë qe tu ofrohet mundësi për gjenerim të hyrave dhe punësimit.

“Përmirësimi i kushteve infrastrukturore për gjitha zona e bizneseve të vogla (hoteliere) siç janë: trotuaret, ndriçimi dhe ambientet përreth tyre”.

“Stimulimi dhe favorizimi i operatorëve të rinj ekonomik të cilët iniciojnë shfrytëzimin e pronës, dhe resurseve të pa shfrytëzuara”.