Nuk e tremb Gjilani
Hashim Thaçi thotë se në Gjilan takoi edhe dy kundërkandidatë të Qemajl Mustafës. Përgjigja e tyre, sipas tij, ishte se kësaj radhe fiton sërish Qemajl Mustafa.
Lajme
Hashim Thaçi, të dielën, në kuadër të fushatës elektorale, qëndroi në Gjilan, ku u shpreh i sigurt në fitorën e PDK’së, qysh në raundin e parë.
Bashkë me kandidatin e PDK’së për Gjilanin, Qemajl Mustafa, Kryeministri Thaçi ka bërë një shëtitje në dy lagjet të këtij qyteti. Ai u shpreh i emocionuar nga bashkëbisedimi që ka pasur me qytetarë gjatë kësaj shëtitjeje, të cilin ai e sheh si konfirmim për fitoren e Qemajl Mustafës.
“Kam marrë një konfirmim se kësaj radhe do të votohet bindshëm Qemajl Mustafa”, ka thënë Thaçi.
“Përcaktimi qytetar për Qemajl Mustafën dhe PDK po rritet çdo ditë. Qemajl Mustafa ka bërë punë të mëdha, punë të mira dhe ka realizuar projekte kapitale”.
“Unë do e mbështes fuqishëm, sepse e ka merituar këtë përkrahje. Vetëm Qemajl Mustafa i ka dhënë kuptim jetës institucionale në Gjilan, derisa të tjerët e kishin stagnuar dhe ngulfatur Gjilanin”.
“Me investimet tona dhe përkushtimin e Qemajl Mustafës, Gjilanit i kemi dhënë kuptim europian, sepse Gjilani sot është qytet i zhvillimit”.
Thaçi më tutje ka deklaruar se në Gjilan nuk do të ketë riciklim të partive tjera, duke aluduar kështu në LDK’në dhe Lutfi Hazirin, që më heret kishin qeverisur me këtë Komunë.
“Gjilani nuk ka nevojë për rikthim në baltë apo terr. S`ka më riciklim të partive tjera, sepse ne Gjilanin do ta fitojmë qysh në raundin e parë”.
Thaçi deklaroi se gjatë vizitës në Gjilan ka takuar dy kundërkandidatë të Qemajl Mustafës dhe përgjigja e tyre, sipas tij, ishte se kësaj radhe fiton sërish Qemajl Mustafa, raporton RajoniPress.
Qemajl Mustafa pohoi se në Gjilan ka ndodhur zhvillimi epokal.
“Kemi pasur shumë sfida në fillim të mandatit sepse Gjilanin e gjetëm në terr e lloç. Por, ne u bëmë bashkë dhe ia dolëm që ta kthejmë në jetë Gjilanin dhe jetën e saj institucionale. Tani e kemi kaluar atë politikë të errët e të hidhur”.
“Gjatë qeverisjes sonë bëmë zhvillime të mëdha në arsim, infrastrukturë, ekonomi, administratë, rrugë, kanalizime etj”.
“Edhe tani PDK i ka ndezur motorët dhe jam i sigurt se fitorja e PDK’së pos që do të jetë e sigurt ajo do të jetë edhe më e madhe. Do të festojmë bashkë me 3 nëntor jo vetëm ne, por edhe partitë tjera, sepse ata vetëm përkohësisht janë humbës. Partitë tjera ende kanë nevojë për fitoren e PDK’së, sepse nuk janë të konsoliduara akoma”.