S’ka punë sezonale për kosovarët
Tregjet evropiane të punës janë të mbyllura për kosovarët, për shkak se Kosova nuk është anëtare e BE-së dhe nuk ka asnjë marrëveshje ndërshtetërore për punësim.
Lajme
Numri i të papunëve në Kosovë vazhdon të mbetet më i larti në Evropë, ndërsa as gjatë këtij vitit nuk do të ketë punësim sezonal jashtë vendit. Kështu thonë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, të cilët vazhdimisht po komunikojnë me qendrat evropiane të punësimit për të parë eventualisht nëse ndonjë shtet ka nevojë për punëtor kosovarë.
Udhëheqësi i Divizionit të punës dhe punësimit në MPMS, Hafiz Leka ka thënë për RTK se aktualisht nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për nxitje të punësimit jashtë vendit, pavarësisht përpjekjeve dhe kontakteve me zyrtarë të shumtë të shteteve evropiane.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi shprehet i pakënaqur me përpjekjet e deritashme të Ministrisë së Punës për të shfrytëzuar çdo mundësi për nxitjen e punësimit edhe jashtë vendit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thekson se edhe punësimi sezonal duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, e jo individualisht si deri tani.
“Pa një strategji se si të organizohet punësimi sezonal jashtë shtetit dhe garancitë që mund t’i japë shteti për ta për t’u kthyer në Kosovë, është e vështirë që në mënyrë të organizuar apo në forma të tjera të gjejnë punë jashtë shtetit”, thotë ai.
Ministria e Punës deri tash ka zbatuar programe për punësimin e studentëve në Gjermani e Zvicër, kurse këtë vit presin një ekspert gjerman, i cili do të mbështeste Qendrën Kosovare për Shërbim të Migracionit, në mënyrë që programi të zgjerohet edhe në shtete tjera.
Ndryshe, sipas statistikave, rreth 31 për qind e kosovarëve të aftë për punë nuk punojnë, ndërsa për çdo vit tregut të punës i shtohen nga 25 mijë punëkërkues të rinj. Siç thuhet në raportin e ASK-së, më shumë se 250 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën.