Zvicra vlerëson progresin në procesin e liberalizimit të vizave

Kosova ka arritur progres sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave, vlerëson Ministrja për Polici dhe Drejtësi e Zvicrës, Simonetta Sommaruga. Gëzim Kasapolli njoftoi për hapat që ka marrë Kosova për proceset integruese.

Lajme

04/04/2014 16:33

Ministrja për Polici dhe Drejtësi e Zvicrës, Simonetta Sommaruga, ka thënë se Kosova në përgjithësi ka arritur progres të konsideruar sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizim të vizave.

Ajo gjatë takimit me Zëvendësministrin e Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli, u shpreh e kënaqur më përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin për tu marrë me dukurinë e migrimit të parregullt dhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar, si pikë kyçe në këtë proces.

Ndërkaq, Kasapolli njoftoi atë për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova gjatë këtyre viteve të fundit, duke potencuar që negociatat për MSA, janë në përfundim e sipër si edhe për veprimet që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për procesin e liberalizimit të vizave.

Ai tha se tashmë janë nënshkruar marrëveshjet për riatdhesim me shumicën e vendeve të Evropës, dhe se Qeveria e Kosovës si në nivel lokal ashtu edhe qendror është përkushtuar maksimalisht për ri-integrim të qëndrueshëm në shoqëri të qytetarëve të rikthyer.

“Qeveria e Kosovës me të gjithë mekanizmat përkatës është duke punuar intensivisht për të nxjerrë rezultate maksimale duke plotësuar kriteret e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave”.