“Procesi të zhvillohet në frymën e demokracisë” Nga PDK ende s’bëhen të ditur emrat e atyre që pritet të kandidojnë për Kryetar

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, teksa nuk kaloi as një vit nga koha kur mori drejtimin e kësaj partie. Pas vendimit të tij, PDK-ja ka caktuar Vlora Çitakun ushtruese të detyrës së kryetares, ndërsa pritet të organizojë zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet…

Lajme

28/10/2026 19:44

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, teksa nuk kaloi as një vit nga koha kur mori drejtimin e kësaj partie. Pas vendimit të tij, PDK-ja ka caktuar Vlora Çitakun ushtruese të detyrës së kryetares, ndërsa pritet të organizojë zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet e partisë.

Hamza njoftoi për dorëheqjen nga drejtimi i partisë gjatë një konference për media, ku theksoi se po largohet vetëm nga pozita e kryetarit dhe jo nga partia. Ai tha se pret që procesi i ardhshëm zgjedhor t’u japë hapësirë të rinjve për të kontribuar dhe që PDK-ja të dalë më e fortë dhe më e konsoliduar, shkruan lajmi.net.

Lidhur me këtë proces brenda PDK-së, deputetja Ganimete Musliu, ka thënë se zgjedhjet e brendshme duhet të zhvillohen në frymën e demokracisë dhe në përputhje me statutin e partisë.

Në një prononcim për lajmi.net, Musliu ka bërë të ditur se për momentin nuk dëshiron të spekulojë për emra apo kandidatura, duke theksuar se rëndësi ka mënyra se si do të zhvillohet procesi dhe ndikimi i tij në të ardhmen e partisë.

“Sa u përket zgjedhjeve të brendshme në PDK, konsideroj se ky proces duhet të zhvillohet në frymën e demokracisë së brendshme dhe në përputhje me statutin e partisë. Për momentin, nuk do të doja të spekuloja për emra apo kandidatura. E rëndësishme është që procesi të jetë demokratik, transparent dhe në funksion të së ardhmes së PDK-së”, ka deklaruar Musliu për lajmi.net.

Ndërkohë, Hamza, gjatë njoftimit për dorëheqjen, tha se vendimi i tij ishte i menduar mirë dhe se beson që zgjedhjet e brendshme do të krijojnë mundësi për përfshirjen e gjeneratave të reja në strukturat e partisë. Ai nuk dha detaje se kur pritet të mbahet ky proces.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Nga sot, e derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i PDK-së dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike, i gatshëm të kontribuoj për të”, kishte deklaruar Hamza.

Pas dorëheqjes së tij, organet drejtuese të PDK-së caktuan Vlora Çitakun ushtruese të detyrës së kryetares. Ajo do ta ushtrojë këtë funksion deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor, përmes të cilit partia do të zgjedhë strukturat e reja drejtuese.

Hamza e mori drejtimin e PDK-së më 17 nëntor 2025, disa ditë pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje nga posti i kryetarit. Ai u zgjodh në konventën e partisë pa kundërkandidat, ndonëse Enver Hoxhaj kishte shprehur ambicie për të garuar për drejtimin e subjektit politik. Hoxhaj kishte kërkuar që konventa të mbahej një javë më vonë dhe nuk mori pjesë në garë, duke pretenduar se kushtet nuk ishin të barabarta.

Gjatë marrjes së drejtimit të partisë, Hamza kishte premtuar se do ta mbante PDK-në të bashkuar dhe se do të punonte për hapjen e saj ndaj njerëzve të rinj. Ai më pas ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit dhe dhjetorit të vitit 2025, si dhe në zgjedhjet e qershorit 2026.

Në të tria palë zgjedhjet, PDK-ja doli si forca e dytë politike në vend, pas Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet e qershorit 2026, nën drejtimin e Hamzës, PDK-ja fitoi 19.44 për qind të votave. Në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte marrë 20.19 për qind, ndërsa në ato të shkurtit të po atij viti kishte fituar 20.95 për qind.

Hamza kishte vlerësuar se mandati i tij në krye të partisë nuk ishte i zakonshëm, pasi ciklet e njëpasnjëshme zgjedhore nuk i kishin lënë hapësirë të mjaftueshme për konsolidimin e brendshëm të PDK-së.

Gjatë konferencës për media, ai foli edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Hamza e cilësoi këtë aktgjykim si “një padrejtësi të madhe ndaj popullit të Kosovës” dhe tha se kishte pritur që pas tij drejtimin e partisë ta merrnin ish-udhëheqësit e PDK-së dhe të UÇK-së.

Tashmë, me Hamzën jashtë postit të kryetarit dhe Vlora Çitakun në detyrën e ushtrueses së kësaj pozite, procesi i ardhshëm zgjedhor pritet të përcaktojë drejtimin e ri të PDK-së. Musliu, ndërkaq, ka theksuar se ky proces duhet të jetë demokratik dhe transparent, pa paragjykuar emrat që mund të hyjnë në garë.

Deri më tani janë vetëm disa emra të cilët janë parë si të mundshëm për kandidim brenda PDK-së.

Uran Ismaili, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda janë tre emrat më të përfolur. Por pikëpyetje ngritet edhe në emrin e Vlora Çitakut, nëse kjo e fundit do të pranonte t’i hynte kësaj gare.

Emra të tjerë që jo vetëm këtë herë, por në vazhdimësi janë përmendur është edhe ai i Sami Lushtakut dhe Ramiz Lladrovcit, por që këta të fundit ditë më parë e kanë mohuar një gjë të tillë pasi që në bazë të deklarimeve nuk janë të interesuar të marrin një post të tillë.

PDK-ja gjendet para një situate shumë kritike derisa mbetet të shihet se kush do të vendoset në ballë të përkrahësve, bashkëpunëtorëve dhe votuesve të partisë.

Derisa ish-kryetarët e kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndodhen në Hagë pas dënimit të Speciales me 25 vite burgim për të parin dhe 18 vite burgim për të dytin nuk dihet se si brenda PDK-së do të votohen emra te mundshëm në kandidim dhe se si partia do t’i jap drejtim kësaj situate të krijuar në një kohë kur duhet sa më shumë stabilitet, marrë parasysh edhe zhvillimet në Hagë dhe ato në vendin tonë./Lajmi.net/