Panama dhe Kosova të gatshme për bashkëpunim ekonomik dhe politik

Jahjaga dhe homologu i saj Martinelli biseduan për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja vendeve. Përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Panamasë, proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj.

Lajme

31/03/2014 20:43

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Pallatin Presidencial në Panama City nga Presidenti Ricardo Martinelli.

Në këtë takim, Presidentja Jahjaga theksoi se “shteti i Kosovës, në 6 vjet të pavarësisë së tij, ka arritur të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, po e konsolidon shtetësinë në skenën ndërkombëtare dhe pavarësia e tij është njohur nga 106 vende OKB-së si dhe 23 nga 28 vendet anëtare të BE-së”, njofton Zyra e Presidentit të Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Ajo tha se Kosova mëton të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së dhe e OKB-së dhe theksoi rëndësinë që procesi i njohjeve të vazhdojë, duke konsoliduar shtetësinë dhe në të cilin proces mund të ndihmojë edhe Panamaja në veçanti në pjesën e Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Presidenti i Republikës së Panamasë, zotëri Ricardo Martinelli, duke i uruar mirëseardhje Presidentes Jahjaga, theksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon ajo.

Ai tha se të dyja vendet duhet të ndërtojnë lidhje të fuqishme ndërmjet vete dhe shprehu vullnetin e vendit të tij për të bashkëpunuar në fushën ekonomike, politike, kulturore dhe në fushat e tjera të interesit të përbashkët, është bërë e ditur nga kjo komunikatë.