Faton Topalli: Ligji për veteranët është instrument për fushatë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, vlerëson se ligji për veteranët e luftës është duke u përdorur nga Kryeministri Hashim Thaçi si instrument për fushatë elektorale. Ai thotë partitë që kanë qenë në pushtet nuk kanë bërë asgjë për veteranët.

Lajme

26/03/2014 23:01

Në një intervistë dhënë për emisionin Interaktiv të KTV-së, Topalli ka thënë se asnjëra prej partive politike, që këto 15 vjet ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë për veteranët. Ai thotë se ligji për veteranët është mashtrim pasi që nuk ju garanton atyre benificione.

“Mendoj që ligji për veteranët është një prej ligjeve të rendësishme sepse është për një kategori shumë të rëndësishme që ka sakrifikuar shumë për këtë vend”.

“Dy partitë kryesore, LDK dhe PDK kanë qenë gjatë 15 viteve të fundit në pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë për veteranët e luftës”.

“Ky ligj vjen tani, 1-2 muaj para zgjedhjeve dhe është thjesht instrument elektoral nga kryeministri. Ky ligj nuk rregullon benificionet , pagat e këto”.

“Problemi është se ka shumë nene që kanë karakter afirmativ dhe jo normativ”.

“Është një ndihmë pak a shumë që mund të pranohet, me që benificionet janë jo më pak se rroga minimale në Kosovë”.

Topalli thotë se vërejta kryesore është në nenin 40, në të cilin thuhet se Qeveria mund të mos jap benificione për veteranët nëse nuk ka buxhet. Ai kërkon që të ndërrohet ky nen.

“Nuk ka asjë vend në botë ku Qeveria i jep vetvetes së drejtën që ti ndalojë ligjet që i sjell parlamenti. Neni 40 i këtij ligji është thjesht një premtim elektoral sepse nuk garanton që ky ligj të zbatohet në praktikë sepse Qeveria në çdo kohë mund të thotë se s’kemi mjete dhe nuk do të zbatohet ky ligj”.

“Mendoj se Qeveria nuk do ta zbatojë këtë ligj për shkak të sjelljeve të saj të deritanishme. Me rëndësi është që ky nen të ndryshojë”.

“Dikutimi në Komision ka qenë kryesisht për nenin 40 sepse ky nen nuk garanton që ky ligj të zbatohet”.

“Në kuptimin juridik kjo nuk është në rregull sepse Qeveria nuk mund të ndalë një ligj kur ti teket”.

“Unë nuk kam parë ndonjë angazhim që ky nen të  ndryshohet”.

Topalli thotë se nuk është e moralshme të luhet me ndjenjat e veteranëve, sepse sipas tij ky ligj nuk ju garantn atyre një mbështetje të duhur.

Gjithsesi, Vetëvendosje thotë ai do ta votojë këtë ligj edhe në leximin e dytë.

“Ky ligj nuk është asnjë më shumë se sa një mjet që përdoret nga kryeministri për të fituar vota dhe për të mashtruar sa më shumë veteranë”.

“Është e tmerrshme të luash me ndjenjat e njerëzve që kanë sakrifikuar kaq shumë për këtë vend”.

“Ti mashtrosh ata me një ligj që nuk ju garanton mbështetje mendoj se është papërgjegjësi dhe këtë mund ta bëjë një qëveri që nuk interesohet dhe një Qeveri e pamoralshme që bën premtime fallce dhe nuk i realizon ato”.

“Ne e kemi miratuar në lexim të parë, jo se është ligj i mirë por se ka qenë kërkesë e veteranëve, ne do ta miratojmë edhe në lexim të dytë. por me ndryshime”.

“Besoj që javën tjetër mund të miratohet”, tha për KTV, deputeti Faton Topalli.