Blerim Isufaj u shkarkua 28 ditë pasi e prezantoi aktakuzën për krimet në familjen Jashari gjatë marsit të vitit 1998

Vetëm 28 ditë pasi prezantoi publikisht një prej aktakuzave më të rëndësishme për krimet e luftës në Kosovë, Blerim Isufaj është larguar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Më 4 shtator 2026, Isufaj kishte dalë para mediave për të prezantuar aktakuzën e ngritur në mungesë ndaj 35 personave, të dyshuar për krime lufte kundër…

Lajme

02/10/2026 21:23

Vetëm 28 ditë pasi prezantoi publikisht një prej aktakuzave më të rëndësishme për krimet e luftës në Kosovë, Blerim Isufaj është larguar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Më 4 shtator 2026, Isufaj kishte dalë para mediave për të prezantuar aktakuzën e ngritur në mungesë ndaj 35 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz të Poshtëm, transmeton lajmi.net.

Në atë rast, Isufaj kishte theksuar rëndësinë e aktakuzës, duke e cilësuar atë si të parën që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin mbajtur pozita të larta komanduese në strukturat dhe njësitë speciale të policisë serbe. Prokurori Valdet Gashi kishte deklaruar se hetimet kishin identifikuar 35 persona, ndërsa provat e mbledhura nga Prokuroria tregonin se gjatë sulmit ishin vrarë 26 civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Vetëm 28 ditë më vonë, më 2 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi për largimin e Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të KPK-së, masa u miratua me gjashtë vota për dhe një kundër. Isufaj nuk është larguar nga Prokuroria Speciale, por do të vazhdojë punën si prokuror.

KPK-ja ka arsyetuar vendimin me gjetje që, sipas saj, përfshijnë keqmenaxhim të institucionit, jokompetencë në ushtrimin e funksionit, mospërmbushje të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mosplotësim të standardeve të kërkuara të performancës.

Pas largimit të Isufajt, KPK-ja ka caktuar prokurorin Dren Paca si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në plotësimin e pozitës përmes procedurave ligjore.

Kështu, mes prezantimit të aktakuzës për krimet në Prekaz dhe largimit nga drejtimi i Prokurorisë Speciale kanë kaluar më pak se një muaj./lajmi.net/