Zbogar: Fitorja e Vucicit garanci për dialog

Samuel Zbogar thotë se fitorja e Partisë së Aleksandar Vucic në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, garanton vazhdim të dialogut me Kosovën. Sipas tij, dialogu në Bruksel ka rezultuar me përmirësime në raportin Kosovë-Serbi si dhe në veri të vendit.

Lajme

20/03/2014 21:23

Fitorja e Partisë Progresiste Serbe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të duhej që të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, ka vlerësuar Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovës, Samuel Zbogar.

Ai ka shtuar se me këtë fitore të partisë së Aleksandar Vucic, do të mundësohet një “zbatim i qetë” i Marrëveshjes së Brukselit.

Zbogar gjatë një qëndrimi në Sarajevë, tha se dialogu i drejtuar nga Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic të ndërmjetësuar nga Catherine Ashton, ka qenë i suksesshëm për arsye se të dyja palët kanë treguar dëshirë për normalizimin e gjendjes në Kosovë.

Sipas tij, dialogu në trekëndëshin, Prishtinë-Beograd-Bruksel, u mundëson para së gjithash këtyre dy vendeve që të vazhdojnë rrugën drejtë BE’së.

“Me këtë kanë treguar se Kosova ka një të ardhme evropiane”.

“Tani kemi doganierë të cilët udhëtojnë lirshëm në Veri. Taksat e doganave mblidhen dhe shfrytëzohen për fondin e veçantë për zhvillimin e komunave në Veri”.

“Ndoshta ende nuk ka një funksionalitet të plotë të strukturave në Veri në përputhje me ligjet e Kosovës, por, duhet vlerësuar ndryshimet”, ka thënë Zbogar.