Shkarkim i Qeverisë, pastaj zgjedhje
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Haradinaj është shprehur se nga ky synim i tij nuk ka hequr ende dorë, por ka thënë se nuk po e kupton hezitimin e partive tjera opozitare për ta mbështetur një mocion mosbesimi.
Lajme
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, po i qëndron mendimit të tij se qeveria aktuale e Kosovës duhet të shkarkohet para se vendi të shkojë në zgjedhjet parlamentare.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Haradinaj është shprehur se nga ky synim i tij nuk ka hequr ende dorë, por ka thënë se nuk po e kupton hezitimin e partive tjera opozitare për ta mbështetur një mocion mosbesimi.
“Po bëj përpjekje dhe nuk kam hequr dorë që të rrisim presionin që në zgjedhje të shkohet me shkarkim të qeverisë. Nuk e kuptoj mjaftueshëm hezitimin e tyre për mos ta shfrytëzuar këtë të drejtë politike në parlamentin e vendit, të shkohet në zgjedhje duke e shkarkuar qeverinë”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, shkuarja në zgjedhje “pa i dhënë një ndëshkim kualitetit qeverisës”, do të ishte lëshim i klasës politike dhe “humbje e një mundësie për një fillim më të mbarë për Kosovën”.
“Është e pakuptueshme mos të zbatohet kjo e drejtë e parlamentit të vendit, për ta shkarkuar qeverinë e cila ka qeverisur dobët, e cila i ka shkaktuar humbje vendit. Është kualiteti jo i mirë qeverisës dhe po ashtu e ka humbur shumicën në parlament. Pra, nuk e kuptoj pse duhet të shkojmë në zgjedhje me shpërbërje të parlamentit, e nuk shkojmë në zgjedhje me shkarkim të qeverisë, meqë qeveria e ka humbur shumicën”.
Haradinaj ka thënë se e sheh të gabueshëm drejtimin e kësaj qeverisjeje dhe logjikës së saj.
“Është menduar më shumë se qeverisja ekziston në njëfarë mënyre vetvetiu dhe nuk kanë menduar për krijimin e vlerës së re përmes qeverisjes. Vlerës se re në ekonomi, vlerës se re në arsim, shëndetësi, vlerës se re në rend dhe ligj, vlerës se re ne politiken e jashtme. Ata kryesisht e kanë kuptuar se qeverisja ekziston, qeverisja ndodh, por nuk kanë pasur cak për vlerë të re, vlerë të shtuar”, ka thënë Ramush Haradinaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e futjes së AAK’së në ndonjë koalicion qeveritar me PDk’në pas zgjedhjeve të ardhshme.