Hapen vendvotimet për zgjedhjet serbe në Kosovë
Serbët e Kosovës, sot votojnë për të zgjedhur deputetët e Parlamentit të Serbisë. Rreth 108 mijë votues kanë të drejtë vote në 17 komuna të Kosovës. Votimi ka nisur në orën 07 dhe do të zgjasë deri në orën 20. Votimi në Kosovë organizohet nga OSBE.
Lajme
Zëdhënësi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë për agjencinë e lajmeve Beta se në mëngjesin e së dieles janë hapur të gjitha vendvotimet në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Sipas Gaon, në kosovë janë hapur 10 qendra votimi dhe 15 degë të këtyre qendrave.
Ndërsa kreu i të ashtuquajturit Qarku i Prizrenit, Jovica Buduric, ëshët shprehur se në vendvotimet e këtij qarku nuk ka transport të organizuar për votuesit dhe kjo, sipas tij, paraqet problem për shkak se shumë votues që jetojnë në Prizren, duhet të votojnë në Shtërpcë.
Adem Hoxha nga Gora ka thënë se në këtë rrethinë e cila është në qarkun e Prizrenit, do të votohet në fshatin Vranishtë dhe se në listën e votuesve gjenden më shumë se 8 mijë votues.
Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor serb, në Kosovë kanë të drejtë votimi 107.958 votues, në 1 komuna të Kosovës.
Tanjug ka raportuar sot se në Mitrovicën e Veriut, hapja e një vendvotimi ëhstë shtyrë për 15 minuta për shkak se në hyrjen kryesore në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petrovic Alas” ka qenë duke u valëvitur një flamur i Serbisë, i cili pasi raportohet se nuk është larguar, është vendosur që të mbyllet dera e hyrjes kryesore, dhe hyrja të bëhet nga dera e pasme.