Të hënën vlerësimi për statutet e katër komunave serbe

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se të hënën MAPL do të japë vlerësimin e saj se çfarë shkeljesh janë bërë gjatë miratimit të statuteve në katër komunat serbe. Ajo thotë se Qeveria do të marrë masa nëse statutet janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Lajme

15/03/2014 18:18

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka bërë të ditur se Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, pritet të dalë të hënën me vlerësimin e saj sa i përket shkeljeve në miratimin e statuteve në katër komunat serbe.

“MAPL do të dalë të hënën me analizat e saj me të cilat do të njoftohen edhe opinioni publik. Dhe në bazë të procedurave ekziston afati ligjor për korrigjime dhe plotësime.”

“Presim që ky proces do të shkojë ashtu siç duhet, pra sipas ligjeve të Kosovës”.

Në një deklaratë dhënë për “Epoka e Re”, Tahiri ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të konsiderojë jolegale statuset që janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Në bazë të informacionit zyrtar që kemi marrë nga ekipet monitoruese të Qeverisë gjatë seancave, në katër komunat veriore, janë konstatuar se në përmbajtjen e statuteve ka parregullsi dhe në këtë pikëpamje dallon Mitrovica e veriut, e cila ka një përmbajtje të statutit më të përafërt me ligjet e Kosovës”.

“Organet e reja komunale kanë dalë në zgjedhjet lokale, të cilat janë mbajtur konform ligjeve të Kosovës dhe sipas marrëveshjes së Brukselit e cila shumë qartë e përcakton se organet komunale duhet të funksionojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim çfarëdo veprime që janë jashtë ligjit, nga ana e Qeverisë do të konsiderohen jolegale dhe sigurisht, në rast të skenarit më të keq, do të marrim veprime konform ligjit dhe Kushtetutës sonë”, ka thënë Edita Tahiri për “Epoka e Re”.

Sipas ligjit, MAPL shqyrton të gjitha parregullsitë që eventualisht janë shkaktuar gjatë miratimit të statutit në kuvendet komunale. Më pas ajo dërgon rekomandimet e saj në mënyrë që shkeljet të përmirësohen nëpërmjet procesit të amendamenteve në seancat e ardhshme , ku do të miratohej në statut në përputhje me ligjin.