Epopeja e UÇK’së ndryshoi historinë e Kosovës
Adem Demaçi thotë se sakrifica e familjes Jashari ishte bërë me vetëdije të plotë, në mënyrë që bota mbarë të shihte të vërtetën dhe në anën tjetër të ndizeshin zemrat e shqiptarëve. Ai thotë se epopeja e UÇK’së është epopeja më e madhe pas asaj të Hasan Prish
Lajme
Veprimtari Adem Demaçi thotë se historia e re e Kosovës është bërë falë sakrificës së madhe të familjes Jashari.
Në një bisedë për “Epoka e Re”, Demaçi e ka quajtur heroin Adem Jashari një gjeni që kuptonte se çfarë kërkonte koha.
“Falë kësaj sakrifice të paparë në historinë tonë të re, falë edhe luftës së pabarabartë e cila angazhoi botën, ne dolëm fitimtarë dhe u liruam nga robëria”.
“Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme që ta ndiznim kryengritjen, ajo nuk merrte flakë. Adem Jashari, si një gjeni që e kuptoi se çfarë po kërkonte koha dhe çfarë duhej të bëhej që populli të mos mbetej në robëri dhe në anën tjetër bota që kuptonte se çfarë vlonte në shpirtin dhe zemrën e shqiptarëve, zgjodhi rrugën e flijimit. Flijimi i familjes Jashari bëri që në zemrat djaloshare dhe në zemrat e kombit tonë të ndizej flaka e lirisë”.
“Prandaj kjo është epopeja e madhe të cilën e bëri Adem Jashari me familje. Ai flijim që u bë me vetëdije të plotë, që të shkonin burra, gra, pleq dhe të ri, barti t’i ndezte zemrat e shqiptarëve dhe ta detyronte botën, miqtë tanë, ta shihnin të vërtetën”.
Adem Demaçi e ka quajtur Epopenë e UÇK’së si epopenë më të madhe që nga koha e atdhetarit Hasan Prishtina.
“Kjo epope është epopeja më e madhe që nga koha kur Hasan Prishtina i madh, politikani më i ndriçuar i kohës së re, filloi kryengritjen kundër Turqisë dhe e shpëtoi Shqipërinë, popullin shqiptar nga coptimi në mes të grekërve, serbëve dhe të tjerëve”, ka thënë Adem Demaçi për “Epoka e Re”.