Nuk jep dorëheqje Ibrahim Gashi
Rektorati mohon lajmet për dorëheqjen e mundshme të Rektorit Ibrahim Gashi. Rektori Gashi nuk e ka përmendur opsionin e dorëheqjes si mundësi as gjatë bisedës telefonike që ka zhvilluar kohë më parë me anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit.
Lajme
Rektori Ibrahim Gashi nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. Të paktën kështu thuhet në një komunikatë e lëshuar për media nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës.
Aty thuhet se lajmet për dorëheqjen e mundshme të Rektorit Gashi janë të pavërteta.
“Përmes këtij njoftimi, informojmë komunitetin akademik dhe studentor, dhe mbarë opinionin publik, se lajmet e fundit, të publikuara në disa portale, të iniciuara nga Gazeta Express, e cila tashmë ka filluar luftën special kundër menaxhmentit të UP’së, se rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina’’, prof.dr.Ibrahim Gashi pritet të jap dorëheqje është plotësisht e pa vërtetë”.
“Ne i bëjmë thirrje mediumeve elektronike dhe të shkruara, që mos të plasojnë informata të pabazuara, të cilat nuk e ndihmojnë aspak situatën e krijuar në UP”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Rektoratit.
Lajmi.net ka kontaktuar edhe me anëtarët e Këshillit Drejtues të UP’së, të cilët po ashtu kanë thënë se nuk kanë informacioni për mundësinë e dorëheqjes së Rektorit, me të cilin kanë kontaktuar çaste më parë.
“Sa i përket KD ne nuk jemi në dijeni të asnjë lëvizje apo dorëheqje të mundshme të Rektorit”, ka thënë për lajmi.net një anëtar i Këshillit Drejtues.
“Ne sapo biseduam me Rektorin Gashi dhe ai nuk e përmendi opsionin e dorëheqjes. Por, ne si Këshill do të veprojmë në koordinim me Ministrinë e Arsimit për hapat e ardhshëm”.