Trepça duhet t’i kthehet Qeverisë

Halil Qelaj konsideron se kthimi i Trepçës në pronësi të Qeverisë së Kosovës do të ishte kthim në vendin e vet. Thotë se duhet të përpilohet një strategji zhvillimore për këtë kompani, ndërsa konfirmon se prodhimi në kohët e fundit është rritur.

Lajme

02/02/2014 07:04

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm i Trepçës, Halil Qelaj, thotë se opsioni që kjo kompani të kthehet në ndërmarrje publike do të ishte kthimi i Trepçës në vendin e vet.

Në një prononcim për lajmi.net, Qelaj thotë se që 14 vjet nuk është marrë asnjë iniciativë konkrete, as ajo për privatizimin.

Kjo, sipas tij, ka qenë humbje kohe.

“Nuk e di se çka është menduar më herët për opsionet e privatizimit. Unë kujtoj që nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete për 14 vjet se çka do të bëhet me Trepçën. Veç është humbur kohë”.

“Kthimi i Trepçës në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, gjegjësisht në kuadër të Qeverisë së Kosovës, është kthimi i Trepçës në vendin e vet”.

“Absolutisht, mendoj se prej këtu fillon hapja e perspektivës për zhvillim. Sepse, kjo gjendje status-quo na ka detyruar me qenë kështu, ndryshe, nuk ka zgjidhje tjetër”.

Ndërkaq, për opsionin se kjo kompani do të mund të futej në bursën e Londrës prej të cilës do të mund të përfitohej më shumë, Qelaj mendon se ky opsion mund të vijë më vonë.

Ai thotë se paraprakisht duhet të krijohet një strategji zhvillimore për Trepçën, për të parë se çfarë fuqie ka vetë Kosova për të bërë.

“Mendoj që fillimisht ne duhet të futemi në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, edhe të përpilohet një strategji zhvillimore për miniera, për metalurgji, industri kimike, dhe ta shohim se çfarë fuqie ka Kosova vetë të bëjë”.

“A ka mundësi kreditimi, a ka mundësi të tjera. Ato opsione mund të vijnë më vonë, por nuk besoj në ato. Nuk është shqyrtuar dhe aq si opsion”.

Halil Qelaj thotë se vlera e Trepçës nuk mund të matet, sepse, sipas tij, mineralet janë akoma atje poshtë dhe vazhdojnë punimet.

Kushdo që mundohet të përcaktojë vlerën e saj, ai thotë se do të ishte gabim.

“Ai ekspert që sot ta jep vlerën totale të Trepçës, ai dihet që nuk është ekspert, sepse nuk mundet të thotë se kaq është vlera, kur dihet se mineralet vazhdojnë tutje më poshtë, në thellësi të  tokës.”

“Trepça nuk përfundon me këtë sasi të vlerës që e ka sot. Ju mund të thoni për vlerën e objekteve, sipërfaqeve”.

Duke qenë se është Ushtrues Detyre i Drejtorit të Trepçës që dy vjet, Halil Qelaj thotë se gjendja e punëtorëve por edhe e prodhimit është e mirë.

“Për këto dy vjet unë mund të them që punëtorët e Trepçës kanë të ardhura personale të mira, gjendja ekonomike është stabile. Dhe vazhdimisht kemi pasur rritje të prodhimit”.

“Është krijuar njëfarë mobilizimi, njëfarë dëshire, ndoshta më e madhe prej momentit kur është besuar që me Trepçën do të merret Qeveria e Kosovës dhe do të vazhdohet përpara”, thotë Halil Qelaj për lajmi.net.