Ikja e ftohtë e shqiptarëve
Raportohet se 48 klandestinë shqiptarë janë zbuluar duke tentuar të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe me anë të kamionëve-frigoriferë. Prej tyre ishin 41 burra dhe 7 gra, që dukeshin mirë me shëndet. Por, pasojat mund të ishin fatale.
Lajme
48 klandestinë shqiptarë janë zbuluar duke tentuar të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe me anë të kamionëve-frigoriferë.
Ata u zbuluan dhe u ndaluan në terminalin Channel Tunnel, në Francën Veriore.
Shfrytëzimi i kamionëve-frigoriferë dhe rezervuarëve të mbyllur mund të rezultonte me pasoja fatale, tha një zyrtar i Forcave Kufitare.
Një kontroll rutinor në terminalin Channel Tunnel, në Coquelles, të martën, rreth orës 21:00, bëri të mundur gjetjen e klandestinëve në pjesën e pasme të kamionit i cili po priste të nisej për në Folkestone, Kent, në Britaninë e Madhe.
Kamioni nuk e kishte të aktivizuar njësinë e ftohjes dhe s’kishte mallra. Aty ishin vetëm shqiptarët.
Dera e kamionit nuk kishte dry të jashtëm kur u kontrollua nga zyrtarët, të cilët i gjetën 41 burra dhe 7 gra, që dukeshin mirë me shëndet.
Tre prej tyre janë të mitur.
Që të gjithë iu dorëzuan autoriteteve franceze, kurse shoferi rumun u arrestua.
Dave Hutchinson, zëvendësdrejtori për Europën Juglindore i Policisë Kufitare, deklaroi:
“Janë shumë të qarta rreziqet e përdorimit të kamionëve-frigoriferë dhe rezervuarëve të mbyllur. Pasojat mund të jenë fatale”.
“Ky rast e tregon mungesën e plotë të ndërgjegjes së kriminelëve të organizuar për jetët e individëve të cilët i kontrabandojnë”.
“Edhe më alarmues është fakti se aty kishte edhe të mitur”.
(Huffington Post)