Konstituimi, megjithatë, pret Brukselin
Krstimir Pantic ka thënë se me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare po e bëjnë shtyrjen e inaugurimit pasi që sipas tij, kjo çështje duhet të vendoset në Bruksel. Më herët, seanca e Kuvendit Komunal të Zveçanit kishte filluar me prezencën e flamurit serb.
Lajme
(E plotësuar, 16:02)
Sipas raportimeve të fundit, mbledhjet konstituive të katër komunave në qytetet veriore të Kosovës kanë dështuar sërish.
Klan Kosova raporton se pasi që janë mbledhur në një seancë të përbashkët, ku do të duhej të bëhej betimi i kryetarëve të rinj serbë, seanca është shtyrë për afat të pacaktuar kohor.
Kryetari në ardhje i Mitrovicës së Veriut, Krstimir Pantic, ka thënë se me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare po e bëjnë shtyrjen e inaugurimit pasi që sipas tij, kjo çështje duhet të vendoset në Bruksel.
Ai po ashtu ka thënë se kjo shtyrje nuk ka të bëjë asgjë me presionin që po bën Prishtina, po ashtu as nuk do të thotë pranim i organeve kosovare.
Në këtë seancë kanë marr pjesë të gjithë asambleistët serbë të katër komunave, përfshirë edhe ata të partisë së Oliver Ivanovicit, ndërsa nuk ka qenë asnjë asamblist shqiptar.
Edhe njëherë në këtë mbledhje është thënë se serbët e veriut do të respektojnë Serbinë dhe secilin vendim që vjen nga ky shtet.
___
Seanca konstituive në Kuvendin Komunal të Zveçanit është duke u mbajtur në prani të flamurit të Serbisë.
Sot, kur pritet të mbahet konstituimi i katër Kuvendeve Komunale në Veri, Zveçani këtë ceremoni e ka nisur me flamurin serb në ballë të sallës, raporton Klan Kosova.
Në sallën ku po mbahet mbledhja konstituive, sipas gazetarit të Klan Kosovës që ndodhet në vendin e ngjarjes, është vënë flamuri i Serbisë, ai i OKB’së dhe Europës.
Po,r aty nuk shihet asnjë simbol i Republikës së Kosovës, ndërkohë ceremoninë inauguruese e kanë bojkotuar shqiptarët.
Ceremonia e betimit po vazhdon edhe në këto momente dhe së shpejti do të zyrtarizohen udhëheqësit për katër Komunat e Veriut, të cilët kanë dalë fitues në zgjedhjet e fundit lokale që janë organizuar nga Republika e Kosovës.