Mos akuzo, përkulu te varri i Tij

Haki Rugova i përgjigjet Adem Demaçit, për akuzat që ky i fundit bëri sot ndaj familjarit të tij, Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Pohimet e tij i quan skandaloze e kontroverse. E fton që në vend të akuzave, të përkulet te varri i tij.

Lajme

10/12/2013 15:39

Familjari i tij, njëherit nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova i është përgjigjur Adem Demaçit për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj figurës së ish presidentit Ibrahim Rugova.

Rugova, i cili është Kryetar i Istogut, deklaroi për lajmi.net se Demaçi në vend të akuzave ndaj Rugovës, do të ishte më mirë të shkojë dhe të përkulet para varrit të tij.

“Nuk e ndjej të nevojshme të deklarohem rreth deklaratave të mbrapshta të Adem Demaçit  që i ka dhënë jo vetëm tani, por gjithmonë”.

“Nuk besoj që është mirë që të flasë ashtu. Më mirë për të do të ishte që të shkojë të përkulet te varri i tij, e jo të flasë për të, sepse ai nuk është i gjallë”.

“Mirëpo Presidenti Rugova do të jetë i përjetshëm e Adem Demaçi e ka pikëpyetje a do të jetë i përjetshëm a jo”.

Haki Rugova ka thënë tutje për lajmi.net se Kryetari i parë i LDK’së dhe Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova “për LDK’në dhe Kosovën simbolizon gjithçka”.

“Pa Ibrahim Rugovën nuk do të ishim këtu ku jemi sot e pa Adem Demaçin unë jam i bindur që po”.

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem demaçi, në paraqitjet e fundit publike, ka kritikuar fort figurën e Presidentit Rugova, duke e quajtur atë “anti hero”, “frikacak”, dhe si njeri të cilit “iu shishmua rakia, duhani, konjkaku e kolltuku” atëherë kur, sipas tij, filloi të vështirësohej puna për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Por Haki Rugova hedh poshtë akuzat e Demaçit për të cilin thotë se “ka inate të vjetra” me Rugovën.

“Ai (Demaçi) i jep dofarë deklarata skandaloze e kontroverse”.

“Pavarësisht autoritetit që Demaçi e ka në kuptimin e vuajtjeve nëpër burgje e andej- këndej, por ai po don ta zhvlerësojë veten dhe bagazhin që e ka. Është çështje e tij personale dhe s’kam nevojë të flas asgjë më për të”, ka thënë Rugova për lajmi.net.