Jeta pas Realit

Ka jetë edhe pas Real Madridit, fakt që demonstrohet nga futbollistët që u larguan nga Santiago Bernabeu gjatë afatit kalimtar të verës. Ndryshimet kanë qenë shumë pozitive për futbollistë si Gonzalo Higuain, Jose Callejon dhe Raul Albiol, që përfunduan te Napoli, Mesut Ozil në Arsenal, Ricardo Carvalho në Monaco dhe Leite Kaka në Milan. Ozil…

Sport

13/11/2013 15:30

Ka jetë edhe pas Real Madridit, fakt që demonstrohet nga futbollistët që u larguan nga Santiago Bernabeu gjatë afatit kalimtar të verës.

Ndryshimet kanë qenë shumë pozitive për futbollistë si Gonzalo Higuain, Jose Callejon dhe Raul Albiol, që përfunduan te Napoli, Mesut Ozil në Arsenal, Ricardo Carvalho në Monaco dhe Leite Kaka në Milan.

Ozil i ka marrë këmbët menjëherë pas transferimit në Emirates. Arsenali është lider në Premierligë, falë edhe meritës së tij, pasi ylli gjerman ka shënuar tre gola dhe ka përgatitur gjashtë të tjerë. Po ashtu, Ozil është futbollisti me fanellën më të shitur në Britaninë e Madhe.

Napoli ka filluar që sërish të ëndërrojë Scudetton, falë Callejonit, Albiolit dhe Higuainit. Sulmuesi argjentinas nuk është më rezervist, por titullar i rregullt. Ai ka shënuar tetë gola në 14 ndeshje. Callejon, nuk është larg më prapa, me shtatë gola në 16 takime.

Albiol po ashtu është bërë i rëndësishëm dhe ka luajtur në 14 ndeshje, të gjitha nga formacioni bazë, duke i ndihmuar ta ruajë vendin në ekipin e Spanjës.

Kaka ka gjetur buzëqeshjen në Itali. Ndërsa, Carvalho është bërë i dobishëm në Monaco. Qendërmbrojtësi 35-vjeç nuk ka munguar në asnjë minutë në Ligue 1.