Sot, Europa

Kosova do t’i fillojë sot negociatat me BE’në për MSA. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e cilësojnë këtë si një ditë historike për vendin.

Lajme

28/10/2013 10:41

Sot do të fillojnë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Kjo marrëveshje konsiderohet se hapi i parë i Kosovës në krijimin e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE’së dhe një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Ministrja për Integrime Evropiane në një intervistë për të përditshmen Epoka e Re ka thënë se nisja e këtyre negociatave është një hap historik për Kosovën.

“Hapja e negociatave në mes të BE’së dhe Kosovës është një moment historik dhe shënon hapjen e një kapitulli të ri në mes të Kosovës dhe BE’së”.

“Ky proces shënon fillimin e një raporti kontraktual, i cili do të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në familjen europiane. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, e cila do të kërkojë shumë reforma dhe do të kërkojë shumë përpjekje”, ka thënë Ministrja Çitaku.

Edhe pse mekanizmi i MSA’së kishte filluar të funksiononte për shtetet e Ballkanit Perëndimor pothuajse më shumë se një dekadë më parë, Kosova nuk ishte arritur që përfshihet pasi që atëbotë ishte nën administrim të UNMIK’ut.

Studimi i fizibilitetit i publikuar në muajin tetor 2012 pati sugjeruar se Kosova ka qenë “në masë të madhe e gatshme” për të nisur negociatat për një MSA, me kusht që Kosova të realizonte shpejtë një numër reformash në katër fushat prioritare si, sundimi i ligjit, administrimi publik, mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia.

Kështu që në prill 2013, Komisioni konsideroi se të gjitha prioritetet afatshkurtra, që ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit, ishin plotësuar,  duke shtruar në këtë mënyrë rrugën drejt përfundimeve të Këshillit në qershor 2013 për të vendosur për autorizimin e hapjes së negociatave për një MSA.

MSA në mes të Kosovës dhe BE’së për dallim me shtetet tjera do të jetë e veçantë në disa aspekte. Kjo MSA nuk do të realizohet në formën e një marrëveshjeje të përzier, mirëpo në formën e një marrëveshjeje vetëm të BE-së. Kjo është bërë e mundur falë risisë në Traktatin e Lisbonës, i cili në mënyrë eksplicite i akordon Bashkimit Evropian personalitet ligjor.

Edhe pse Kosova aktualisht nuk njihet nga 5 shtete anëtare të BE’së, ato kanë theksuar në direktivën negociuese se marrëveshja nuk do të paragjykonte qëndrimin e tyre ndaj statusit (e as nuk do të përbënte njohjen e Kosovës nga Bashkimi ose nga ndonjë shtet anëtar).

MSA është konfirmuar nga fakti se shtetet anëtare kanë qenë të vendosura për të sqaruar se kjo marrëveshje nuk do të ndikojë në natyrën dhe fushëveprimin e marrëveshjeve të ngjashme në të ardhmen, e as në pozicionin e shteteve anëtare dhe institucionit të BE-së për kompetencat.

Negociatat priten të udhëhiqen nga Komisioni Europian, përveç dispozitave për dialogun politik dhe Politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP), e cila do të negociohet nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Për dallim nga MSA’të e mëparshme, nuk është paraparë asnjë marrëveshje e përkohshme, kështu që do të hyjë në fuqi menjëherë. Më e rëndësishmja, natyra vetëm e BE’së në këtë marrëveshje nënkupton se ajo nuk do të ketë nevojë t’i nënshtrohet procesit të ratifikimit nga secili shtet anëtar: si rezultat i së cilës, pritet që hyrja në fuqi e kësaj MSA të bëhet shumë më shpejt se sa hyrja në fuqi e MSA-ve të nënshkruara me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përfitimet e Kosovës nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jenë të shumta. Prandaj, përmes implementimit të kësaj marrëveshjeje, BE dhe Kosova do të gradualisht do të krijojnë një zonë bilaterale të tregtisë së lirë ku lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe liria e themelimit garantohen në mënyrë të dyanshme. Kosova do të përafrojë legjislacionin e saj me atë të BE’së dhe do të sigurojë implementimin efektiv të tij – veçanërisht do të sigurojë përputhshmërinë me rregullat e BE’së lidhur me konkurrencën, prokurimin publik, të drejtat e pronës intelektuale, mbrojtjen e konsumatorit, kushtet e punës etj. Masat tranzicionale mund të dakordohen për të rregulluar përputhshmërinë me legjislacionin e BE’së dhe/ose heqjen e tarifave me qëllim të zonës së tregtisë së lirë.

Ndërsa, përfundimi i MSA’së parashihet të bëhet në 3 apo 4 raunde negociatash. Secili raund do të hapet me takimin plenar i cili takim pasohet nga 3 sesione të grupeve punuese.

Raundi i Parë ka të bëjë me  lëvizjen e lirë të mallrave, krijimin, ofrimin e shërbimeve dhe lëvizjen e kapitalit, raundi i dytë përfshinë përafrimin e ligjeve, zbatimi i ligjit dhe rregullat e konkurrencës dhe i treti trajton politikat e bashkëpunimit dhe bashkëpunimi financiar.

Sapo të përfundojnë negociatat, Këshilli do të vendosë për autorizimin e Përfaqësueses së Lartë për të nënshkruar marrëveshjen, e cila do të hyjë në fuqi pas pëlqimit të Parlamentit Evropian dhe ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës.

Pritet që MSA të nënshkruhet në pranverë të vitit 2014 dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2014.