Takim për urim, jo për pajtim

Fatmir Limaj pohon se ka takuar Kryeparlamentarin Shqiptar, Ilir Meta, të dielën në Prizren. Thotë se vizita ishte private dhe Meta e ka uruar për lirimin nga procesi gjyqësor. Hedh poshtë njoftimet e mediave se takimi lidhej me “pajtimin” e tij me Thaçin.

Lajme

22/10/2013 11:40

Fatmir Limaj ka sqaruar një takim që ka pasur të dielën në Prizren me Kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Disa nga mediat patën raportuar se takimi kishte për qëllim “pajtimin” e Fatmir Limajt dhe Hashim Thaçit, marrëdhënia e të cilëve është çarë dhe e ardhmja e tyre e përbashkët në PDK tashmë është në dyshim.

Limaj ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook dhe ka pohuar takimin me Ilir Metën, por ka thënë se vizita ishte private.

“Pas disa shkrimeve në mediat tona dhe për hir të sqarimit të opinonit publik, ju njoftoj se Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, njëherit miku im Ilir Meta, ka qenë të dielën për të më vizituar dhe gjatë kësaj dite edhe kemi drekuar në Prizren.”

“Vizita ka qenë private, për të më uruar për përfundimin e rastit gjyqësor dhe nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër, siç është spekuluar në media, përveç se takim mes miqve që një kohë të gjatë nuk kemi pasur mundësi të shihemi, për shkak të rrethanave të cilat edhe janë të njohura për ju.”

“Shfrytëzoj rastin ta falënderoj z. Meta për vizitën dhe urimet që m’i solli të shumë miqve nga Shqipëria, njëherit shpreh keqardhje që këtë vizitë private dikush ka dashur me qëllim ta keqinterpretojë”, ka shkruar Limaj.