Kosova kërkon dokumente arkivore në Shqipëri për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka takuar përfaqësues të institucioneve shqiptare me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe sigurimit të dokumenteve arkivore që lidhen me krimet e luftës në Kosovë. Gjatë vizitës në Autoritetin për Informimin mbi…
Lajme
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka takuar përfaqësues të institucioneve shqiptare me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe sigurimit të dokumenteve arkivore që lidhen me krimet e luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Hetemi ka diskutuar me përfaqësuesit e këtij institucioni për mundësinë e formalizimit të bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërinstitucionale, transmeton lajmi.net.
Fokus i veçantë i takimit ishte kërkesa e IKKL-së për qasje në materialet arkivore që dokumentojnë represionin sistematik, përndjekjet, dhunën dhe krimet e ushtruara ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Sipas njoftimit të IKKL-së, këto dokumente konsiderohen me rëndësi të veçantë për hulumtimin e rrethanave historike, politike dhe shoqërore që i paraprinë luftës së fundit në Kosovë.
Në kuadër të qëndrimit në Tiranë, Hetemi u takua edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj. Në këtë takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ekzistues dhe sigurimin e dokumentacionit të ri arkivor që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe periudhën para saj.
Po ashtu, drejtori i IKKL-së zhvilloi takim me zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Kevin Bufi.
Ky i fundit vlerësoi punën e deritanishme të Institutit dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur atë, veçanërisht në promovimin ndërkombëtar të fakteve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Përmes këtyre takimeve, IKKL synon të pasurojë fondin e tij arkivor, të forcojë bashkëpunimin me institucionet e rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës, si dhe të rrethanave që i paraprinë asaj./lajmi.net/