Prokuroria ndalon punimet për muralin, Rama: Hapësirat publike janë në kompetencë të Kryeqytetit
Punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë janë pezulluar pas një vendimi të pranuar nga Prokurori i Shtetit, me të cilin ndalohet vazhdimi i punimeve deri në një vendim të gjykatës. Komandanti i Policisë bëri të ditur se vendimi është marrë për shkak të një kontesti mes dy palëve. “Ne pranuam zyrtarisht…
Lajme
Punimet për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë janë pezulluar pas një vendimi të pranuar nga Prokurori i Shtetit, me të cilin ndalohet vazhdimi i punimeve deri në një vendim të gjykatës.
Komandanti i Policisë bëri të ditur se vendimi është marrë për shkak të një kontesti mes dy palëve.
“Ne pranuam zyrtarisht prej Prokurorit të Shtetit një vendim që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohet zhvillimi i punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve”, deklaroi ai.
I pyetur nga kryetari i Prishtinës se cilat janë dy palët në këtë kontest, komandanti sqaroi:
“Prokurori i Shtetit e ka vlerësuar ashtu që në këtë rast janë dy palë: Komuna e Prishtinës edhe Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike”.
Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës kundërshtoi përfshirjen e ministrisë në këtë çështje, duke pretenduar se hapësirat publike dhe fasadat janë në kompetencë të Kryeqytetit.
“Unë e dëgjova që Prokurori paska marrë një vendim mos me leju punën derisa të vendosë gjykata. Domethënë, një vendim i cili është marrë prej Asamblesë së Kryeqytetit për me vazhduar këtë punim, një vendim i plotfuqishëm, me të gjitha lejet, me të gjitha të drejtat ligjore, me të drejtat e Kushtetutës, si qeverisje lokale, është bllokuar tash po thotë sepse ka kontest mes dy palëve. Këta të cilët e bëjnë: Komuna e Prishtinës edhe ministria. Pse ministria? Ministria kjo nuk është ndërtesë e ministrisë. Domethënë, nuk është në kompetencë asgjë këtu, këto hapësira publike, fasadat janë në kompetencë të Kryeqytetit. Pra, ne i kemi kryer të gjitha veprimet, i kemi prezantuar të gjitha dokumentet, që është në formë tërësisht ligjore, me të drejtën e kësaj ekipe këtu për me vendosur muralin e Nënë Terezës edhe me votën e Asamblesë së Kryeqytetit, me fondet e qytetarëve të Kryeqytetit, për festën e madhe të 28 Nëntorit me vendosur muralin e Nënës Terezë”, tha ai.
Vendimi për ndërprerje vjen pas disa orësh tensionesh në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku Rama dhe zyrtarët komunalë kanë qëndruar në pritje të përgjigjes së Prokurorisë, përkundër reshjeve të borës.
Mozaiku kushtuar Nënës Terezë ishte paraparë të përurohej sot, në Ditën e Flamurit Kombëtar.