Gjini ia kthen Kurtit shprehjen e famshme në version të ri: Nga shkon Lumezi, vjen Elezi, erdhi Bylmezi

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, ka kritikuar qasjen e pushtetit, duke thënë se për vite me radhë është ndërtuar një narracion politik mbi ndarjen e shoqërisë dhe vendosjen e njerëzve kundër njëri-tjetrit. Duke iu referuar shprehjes “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, Gjini tha se në vend të ndryshimit të…

Lajme

27/11/2026 17:00

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, gjatë një takimi me qytetarë në Prizren, ka kritikuar qasjen e pushtetit, duke thënë se për vite me radhë është ndërtuar një narracion politik mbi ndarjen e shoqërisë dhe vendosjen e njerëzve kundër njëri-tjetrit.

Duke iu referuar shprehjes “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, Gjini tha se në vend të ndryshimit të premtuar, në pushtet ka ardhur “Bylmezi”, duke e cilësuar këtë si një tjetër zhgënjim për qytetarët.

Ai theksoi se nuk mund të ketë qeverisje që synon ta rregullojë Kosovën duke qenë kundër bizneseve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, Amerikës, mediave dhe opozitës.

“Nuk mundet me pas pushtet i cili do me e ndreqë Kosovën, po kundër bizneseve. Që do me e rregullu sundimin e ligjit, po kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Që do me i ndreqë marrëdhëniet ndërkombëtare, po kundër Amerikës. Që do me e rregullu demokracinë, po kundër mediave. Që do me e luftu korrupsionin, po kundër opozitës, jo kundër hajnave të vet”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se problemi kryesor qëndron në faktin se motivimi politik dhe narracioni publik janë ndërtuar mbi kundërshtimin e dikujt, e jo mbi një vizion dhe qëllim të përbashkët për vendin.

Gjini ka paralajmëruar edhe për pasojat e ndarjeve të tilla në shoqëri, duke përmendur përçarjen mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë, mes qytetit dhe fshatit, si dhe mes njerëzve të së njëjtës shoqëri.

“Nuk guxojmë me i dhënë këto mesazhe si start. Pushteti nuk mundet me qenë veç kundër diçkaje ose kundër dikujt. Duhet me qenë për diçka”, ka përfunduar Gjini.