Bajrami kritikon raportin e Kurtit për të arriturat e qeverisë: Është raport i gënjeshtrave
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar raportin e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, të titulluar “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2”, duke e cilësuar atë si “raport të gënjeshtrave të Qeverisë”. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se të dhënat e paraqitura në këtë raport po demantohen…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar raportin e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, të titulluar “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2”, duke e cilësuar atë si “raport të gënjeshtrave të Qeverisë”.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se të dhënat e paraqitura në këtë raport po demantohen nga qytetarët, veçanërisht nga bujqit, të cilët, sipas saj, ende nuk i kanë marrë kompensimet për dëmet dhe subvencionet e premtuara, transmeton lajmi.net.
Ajo ka theksuar se ka dëme të bujqve nga viti 2023 që ende nuk janë kompensuar, ndërsa ka kritikuar edhe vonesat në hapjen e thirrjes për grante për vitin 2026.
“Pyetni bujqit për grante e subvencione: ende ka dëme të pakompensuara të vitit 2023. Mos të flasim për dëmet e kësaj vere, kur ministri solidarizohej me bujqit nëpër arat e bëra rrafsh nga breshëri në komunën e Istogut. Për më tepër, sipas bujqve, ende s’qenka hapur thirrja për grante për vitin 2026. E sot data është 27 nëntor. KUR?”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka ngritur shqetësimin edhe për gjendjen financiare të bujqve, duke thënë se ata po detyrohen të marrin kredi në institucione mikrofinanciare me norma të larta interesi për të financuar mbjelljet e tyre.
Ajo ka përmendur normën e interesit prej 22 për qind, duke akuzuar Qeverinë se nuk mund të pretendojë se i ka ndihmuar bujqit, kur ata, sipas saj, janë detyruar të hyjnë në borxhe për të vazhduar aktivitetin e tyre.
“Nuk mundesh me i thënë bujkut ‘të kam ndihmu’ kur ai ka marrë kredi në institucione mikrofinanciare me normë interesi 22%, për t’i mbjellë arat sepse ti e ke shpenzu buxhetin për zgjedhje”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kritikuar ashpër edhe mënyrën se si Qeveria po i paraqet të arriturat e saj, duke thënë se qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm për atë që ajo i quan gënjeshtra të pushtetit.
“Disa e kemi ditur që me gënjeshtra keni ardhur deri këtu, por sot po e dinë të gjithë dhe ju garantoj se s’ka me shku edhe gjatë. Ky populli është shumë më i mençur sesa pandehni ju”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përfunduar postimin duke vënë në pikëpyetje përkrahjen që Qeveria pretendon se u ka ofruar bujqve, në një kohë kur, sipas saj, ata përballen me dëme të pakompensuara, vonesa në grante dhe kredi me interesa të larta./lajmi.net/