Çka deklaroi Kurti sot në Samitin e Liderëve në Tiranë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve, të organizuar në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në Tiranë. Gjatë këtij samiti, Kurti ka folur për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës dhe procesin e reformave, duke theksuar se ato janë përshpejtuar. Ai deklaroi se me zgjedhjen e presidentes së…

Lajme

27/11/2026 15:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve, të organizuar në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në Tiranë.

Gjatë këtij samiti, Kurti ka folur për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës dhe procesin e reformave, duke theksuar se ato janë përshpejtuar.

Ai deklaroi se me zgjedhjen e presidentes së re më 6 tetor, institucionet e vendit janë plotësisht funksionale për vitet e ardhshme.

“Me zgjedhjen e Presidentes së re më 6 tetor, institucionet tona janë plotësisht funksionale për vitet që vijnë dhe reformat i kemi përshpejtuar”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë theksoi se reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike nuk kanë të bëjnë vetëm me përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, por edhe me zhvillimin e brendshëm të Kosovës.

Sipas tij, këto reforma po zbatohen si një angazhim për shtetin dhe qytetarët.

“I zbatojmë me bindje, si akt patriotizmi demokratik për shtetin dhe qytetarët tanë, dhe do t’i përfundojmë të gjitha, edhe ato për të cilat i humbëm fondet për shkak të vonesave”, ka thënë Kurti.

Fjala e plotë:

Jam shumë i lumtur të kthehem sërish në Tiranë. Ju falënderoj, zoti Kryeministër, që po e mirëprisni këtë samit këtu për herë të tretë.

Gati pesë vjet pas agresionit të plotë të Rusisë kundër Ukrainës, lufta e saj hibride po shtohet anembanë Evropës. Është një fushatë asimetrike presioni në shumë fronte, që e kthen në armë edhe infrastrukturën që na lidh. Kjo e ka bërë integrimin ekonomik çështje sigurie. Ndërvarësia ishte menduar t’i shërbejë paqes, por në duart e autokracive është bërë mjet shantazhi politik. Ajo është e sigurt vetëm mes partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera. Me Kosovën, ajo është padyshim e sigurt.

Demokracia është burimi i fuqisë sonë. Indekset e pavarura, mes tyre Freedom House dhe World Justice Project, dëshmojnë se kemi ndër përparimet më të mëdha demokratike në rajon, ndërsa Gallup na rendit të pestët në Evropë për rend dhe ligj, në nivel me Danimarkën dhe Finlandën. Forcën tonë e vëmë në shërbim të vlerave evropiane, prandaj edhe zhvillimi ynë është më i qëndrueshëm. Kjo shihet edhe brenda vendit: rritja ekonomike ishte 4.7% në gjysmën e parë të këtij viti, investimet private në vitin 2025 ishin 77% më të larta se në vitin 2021, ndërsa papunësia ka rënë nga 26% në 11%.

Evropa po i rishpërndan forcat dhe burimet e saj, duke e sjellë prodhimin më afër vetes dhe më afër miqve. Kosova dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi, sepse hapi i radhës duhet të jetë zhvendosja e prodhimit drejt Evropës Juglindore. Kemi shumë për të ofruar: talent dhe inovacion, me popullsinë më të re në kontinent dhe me eksporte të TIK-ut që janë pesëfishuar në katër vjet; lidhshmëri, me hekurudhat e planifikuara që e lidhin më mirë rajonin me Korridoret 8 dhe 10 përmes Kosovës; energji, me qindra megavatë kapacitete të reja nga dielli dhe era që tashmë po ndërtohen; minerale kritike, me rezerva potenciale të disa lëndëve të para që janë në listën e BE-së për lëndët e para kritike, si dhe me një traditë shekullore në miniera; dhe mbrojtje, me fabrikën tonë të parë të municionit në ndërtim e sipër, ndërsa së shpejti vijnë edhe dronët. Le të jetë kjo një ftesë për Bashkimin Evropian, e përmes tij edhe për bizneset evropiane, që të investojnë në Kosovë.

Që nga takimi ynë i fundit për Planin e Rritjes në Tiranë, nëntorin e kaluar, kemi marrë 61.8 milionë euro si këst të parë parafinancimi për Agjendën e Reformave, ndërsa kemi kërkuar edhe 153 milionë të tjera për 20 hapa të reformave që i kemi përmbushur. Gjatë gati dy vjetëve me zgjedhje të përsëritura, ritmi i reformave u ngadalësua. Me zgjedhjen e Presidentes së re më 6 tetor, institucionet tona janë plotësisht funksionale për vitet që vijnë dhe reformat i kemi përshpejtuar. Reformat tona në drejtësi, arsim dhe administratë publike, ndër të tjera, janë po aq kombëtare sa edhe evropiane. I zbatojmë me bindje, si akt patriotizmi demokratik për shtetin dhe qytetarët tanë, dhe do t’i përfundojmë të gjitha, edhe ato për të cilat i humbëm fondet për shkak të vonesave.

Integrimi gradual tashmë po u sjell përfitime qytetarëve tanë, edhe përmes disa prej zotimeve tona të përbashkëta në kuadër të Planit të Rritjes:

  • Korridoret e Gjelbra: dy pikat tona kufitare më të ngarkuara, Hani i Elezit–Bllacë me Maqedoninë e Veriut dhe Vërmicë–Morinë me Shqipërinë, janë përfshirë, dhe modernizimi i tyre do ta lehtësojë edhe më shumë tregtinë. Që nga maji, falë kontrolleve para mbërritjes së mallit dhe punës gjatë gjithë kohës në kufijtë tanë, koha mesatare e zhdoganimit është shkurtuar për dy të tretat, nga gati njëmbëdhjetë orë në rreth tri orë e gjysmë.
  • SEPA: këtë muaj, Banka jonë Qendrore dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim në SEPA dhe lansoi pagesat e menjëhershme, të ndërtuara mbi sistemin TARGET Instant Payment Settlement (TIPS). Pagesat janë infrastruktura bazë e Tregut të Vetëm, dhe sistemi ynë tani funksionon me teknologjinë e vetë Eurosistemit.
  • Kuleta digjitale: në nëntor lansuam identitetin, kuletën dhe nënshkrimin elektronik, të ndërtuara sipas standardit të BE-së dhe me mbështetjen e saj. Kemi rënë dakord me Malin e Zi për njohje të ndërsjellë dhe kërkojmë që portofoli ynë digjital të njihet në gjithë Bashkimin, ku jeton një pjesë e madhe e diasporës sonë.
  • WiFi4WB: interneti falas tani mbulon të 33 komunat e përzgjedhura.
  • Roaming-u: negociatat me Bashkimin kanë nisur dhe negociatori ynë është në tryezë, që me Roam Like at Home thirrjet dhe interneti atje së shpejti të kushtojnë njësoj si këtu.

Sa i përket Shtyllës së Parë, meqë i kemi përvetësuar rregullat e Bashkimit, kërkojmë të kemi vend në organet që i vendosin standardet e tij, që produktet e testuara në Kosovë të pranohen në gjithë Bashkimin. Këto janë Komiteti Evropian për Standardizim (CEN), Komiteti Evropian për Standardizim Elektroteknik (CENELEC) dhe Marrëveshja Shumëpalëshe e Bashkëpunimit Evropian për Akreditim (EA MLA), që është porta drejt një Marrëveshjeje për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAA). Duam gjithashtu t’i bashkohemi Konventës për Tranzitin e Përbashkët, me të cilën mallrat kalojnë kufijtë me një deklaratë të vetme doganore, por aplikimi ynë ka mbetur i bllokuar që nga viti 2015. Edhe Fabrikat e Inteligjencës Artificiale të Evropës ende nuk na kanë përfshirë.

Sa i përket Shtyllës së Dytë, Tregut të Përbashkët Rajonal:

Bashkimi Evropian, projekti më i suksesshëm shumëpalësh, u ndërtua mbi katër liritë, dhe bashkëpunimi ynë rajonal duhet t’u shërbejë qytetarëve përmes po këtyre lirive. Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat. Për vite me radhë, ultranacionalizmi autoritar në Beograd e pengoi bashkëpunimin në rajonin tonë. Tani mund të hapet rruga për një kthesë morale, me një qeveri të re që po lind nga një lëvizje studentore, e cila e di se forca e një shoqërie të hapur qëndron te mundësitë që ajo ofron. Kjo kthesë duhet t’ua sjellë këto mundësi edhe të rinjve në gjithë rajonin.

Për lirinë e lëvizjes, Kosova veproi e para: që nga 1 janari 2025, qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës hyjnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim, dhe hyrjet e tyre janë rritur dymbëdhjetëfish, por Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka bërë të njëjtën gjë për qytetarët tanë. Në CEFTA, kemi ratifikuar tri protokolle shtesë për heqjen e pengesave në tregti, por vendimet për njohjen e certifikatave, për lejet e punës dhe për nënshkrimet elektronike ende kanë mbetur pezull. Heqja e këtyre pengesave do ta lironte potencialin tregtar të rajonit, do t’u shtonte ekonomive tona një të dhjetën dhe do ta zgjeronte tregun evropian.

Ata që janë gati duhet të mund të ecin përpara. Tregu i Përbashkët Rajonal është vendi ku më shumë se një dekadë punë në Procesin e Berlinit duhet të japë fryte. I bëj thirrje Komisionit që fondet e BE-së t’i kthejë në stimul: sa më shumë që një partner zbaton atë që është dakorduar në rajon, aq më shumë duhet të përfitojë. Kjo mund të vlejë edhe për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Mbi të gjitha, rajoni ynë ka nevojë për më shumë lidhshmëri dhe ndërlidhje më të thellë, në transport dhe në energji. Hekurudha është jetike për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë, dhe, siç e ka treguar Ukraina, është mjeti më rezistent i transportit, madje edhe në luftë. Hekurudhat tona të planifikuara, mes tyre Prishtinë–Durrës, duhet të integrohen plotësisht në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit. Siguria energjetike është njëkohësisht siguri ekonomike dhe siguri kombëtare. Tregu ynë i energjisë elektrike tashmë është i integruar me Shqipërinë. Serbia, megjithatë, vazhdon ta bllokojë interkoneksionin elektrik Kosovë–Serbi, në kundërshtim me detyrimet e saj sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe duke sfiduar hapur afatin e 1 korrikut të këtij viti, të vendosur nga Këshilli Ministror. Kjo e dëmton integrimin e tregut për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Rregullat që vlejnë për ne duhet të vlejnë për të gjithë, dhe i bëj thirrje Komisionit të kujdeset për këtë.

E nderuara Komisionere Kos, të nderuar kolegë,

Rusia është në kërkim të çarjeve. Momentin për zgjerim duhet ta shfrytëzojmë për t’i mbyllur ato në Ballkan, i vetmi gadishull jugor i Evropës që ende nuk është plotësisht në Bashkim, e posaçërisht në Kosovë, i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e kandidatit. Një proces i bazuar në meritë duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, historia e suksesit tonë demokratik rrezikon të kthehet në histori të një mundësie të humbur.

Mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim dhe besimi i tyre te Bashkimi janë të dyja ndër më të lartat në rajon. Në emër të tyre, këtë kërkesë e bëj sa herë që takohemi. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Tani është urgjente: statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim, një hap që Kosova e ka merituar. Muajin e ardhshëm mbushen katër vjet që kur aplikuam, dhe Këshilli duhet më në fund t’i kërkojë Komisionit opinionin e tij./Lajmi.net/