Lagjet e vjetra të Prishtinës përballë atyre të reja
Disa nga lagjet e vjetra të Prishtinës, si Ulpiana, Dardania dhe Bregu i Diellit, morën formë nga fundi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’80. Bashkë me banesat, në këto lagje planifikoheshin shkolla, hapësira të gjelbra, shtigje për këmbësorë dhe vende ku fëmijët mund të luanin. Pas luftës së vitit 1999, kërkesa për…
Lajme
Disa nga lagjet e vjetra të Prishtinës, si Ulpiana, Dardania dhe Bregu i Diellit, morën formë nga fundi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’80.
Bashkë me banesat, në këto lagje planifikoheshin shkolla, hapësira të gjelbra, shtigje për këmbësorë dhe vende ku fëmijët mund të luanin.
Pas luftës së vitit 1999, kërkesa për banim në kryeqytet u rrit dhe ndërtimet private morën hov. Bashkë me to, u përhapën edhe ndërtimet pa leje.
Në disa nga zonat e ndërtuara më vonë, ndërtesat qëndrojnë shumë më pranë njëra-tjetrës dhe mes tyre dallohen kryesisht rrugët hyrëse dhe vendparkimet.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, në zonën urbane të Prishtinës jetojnë rreth 205 mijë banorë. Megjithatë, zyrtarë të Komunës së Prishtinës u kanë thënë mediave lokale se, sipas matjeve të tyre, gjatë javës në kryeqytet qëndrojnë nga 350 mijë deri në 400 mijë njerëz.
Sipas arkitektes dhe planifikueses urbane Fjollë Caka, sipërfaqja urbane e Prishtinës është dyfishuar mes viteve 2000 dhe 2020 për shkak të ndërtimeve.
Si ka ndryshuar mënyra e ndërtimit të lagjeve gjatë këtij zgjerimi? Kjo fotogaleri i vendos lagjet e vjetra dhe ato të reja të Prishtinës krah për krah.
Ulpiana dhe Mati 1
Në Ulpianë, ndërtesat e banimit rrethojnë fontanën, ndërsa shtigjet lidhin blloqet më të ulëta me hapësirat e gjelbra dhe fushat sportive. Ulpiana nisi të merrte formë në fund të viteve ’60, sipas planit të hartuar nga arkitekti Bashkim Fehmiu. Bashkë me banesat u ndërtuan një shkollë fillore, dy kopshte dhe një treg i vogël.
Në pjesën e Matit 1 që shihet në fotografinë poshtë, blloqet shumëkatëshe qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Mes tyre duken disa shtëpi të ulëta, rrugë që të çojnë te hyrjet e ndërtesave dhe radhë veturash të parkuara.
Caka, arkitekte dhe planifikuese urbane, thotë për Radio Evropën e Lirë se dallimi mes planifikimit të lagjeve të vjetra dhe atyre të reja të Prishtinës është drastik.
Sipas saj, lagjet e vjetra, si Dardania dhe Bregu i Diellit, ishin planifikuar si “tërësi hapësinore banimi të integruara”, ku bashkë me banesat planifikoheshin edhe shkollat, shërbimet shëndetësore dhe hapësirat për këmbësorë.
Në lagjet e ndërtuara pas luftës, thotë Caka, këto parime shpesh nuk janë respektuar dhe interesit privat i është dhënë përparësi ndaj atij publik.
“Lagjet e reja janë njësi të paintegruara mes vete dhe më pas të paintegruara me pjesën tjetër të qytetit”, thotë Caka për REL.
Ndër arsyet, ajo përmend planet rregulluese jorealiste, moszbatimin e tyre në terren dhe kapacitetin e kufizuar të komunës për ta mbikëqyrur zbatimin.
Bregu i Diellit dhe Rruga B
Në Bregun e Diellit, blloqet me tulla të kuqe ndjekin kthesat e rrugëve. Mes ndërtesave të larta dhe atyre më të ulëta hapen sipërfaqe të gjelbra që përshkohen nga shtigje. Lagjja mori formë nga mesi i viteve ’70 deri në fund të viteve ’80, sipas konceptit të “njësisë së lagjes”.
Shkollat, dyqanet dhe hapësirat për lojë e sport planifikoheshin bashkë me banesat, që banorët t’i arrinin në këmbë. Shkolla “Ismail Qemali”, e ndërtuar më 1981, dhe fushat pranë saj zinin një pjesë të dukshme të hapësirës mes blloqeve.
Rruga B shtrihet përballë Bregut të Diellit. Përgjatë saj radhiten blloqet më të larta të banimit, me lokale në katet përdhese. Pas tyre, radhë të tjera ndërtesash ngjiten drejt kodrës.
Mes blloqeve kalojnë rrugë të ngushta prej betoni që të çojnë te hyrjet dhe vendparkimet. Në pjesën e ndërtimeve të reja që shihet në fotografi nuk dallohen fusha sportive apo kënde lojërash.
Për ta vlerësuar efikasitetin dhe efektivitetin e ndërtimeve të larta në Prishtinë, në vitin 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), shqyrtoi 48 nga 477 lejet e ndërtimit të lëshuara në Prishtinë gjatë viteve 2021–2023.
Sipas gjetjeve të këtij auditimi, komuna dha leje për ndërtime të larta pa u siguruar që infrastruktura rrugore, shkollat, çerdhet, shërbimet shëndetësore dhe transporti publik të zgjeroheshin me të njëjtin ritëm.
Edhe kur investitorët merrnin përsipër të ndërtonin infrastrukturën përcjellëse, si trotuaret dhe ndriçimin rrugor, marrëveshjet nuk përcaktonin qartë çfarë duhej të ndërtohej dhe deri kur.
Sipas ZKA-së, Komuna nuk kishte mekanizëm për të verifikuar nëse punimet ishin kryer. Andaj, tyre, shërbimet publike ekzistuese u mbingarkuan dhe banorëve të disa zonave iu desh të shkonin në pjesë të tjera të qytetit për t’i marrë ato.
REL e pyeti Komunën e Prishtinës rreth gjetjeve të raportit të ZKA-së dhe masave për përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike në lagjet e reja. Deri në publikimin e kësaj fotogalerie, REL-i nuk mori ende përgjigje.
Krahas qasjes në shërbime publike, Caka vë në dukje edhe mungesën e gjelbërimit. Sipas saj, Prishtina ka rreth 3 metra katrorë hapësirë të gjelbër për banor. Ajo e krahason këtë shifër me rekomandimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë prej 9 metrash katrorë për banor.
Për Cakën, pasojat shkojnë përtej humbjes së vendeve ku banorët mund të shëtisin, të luajnë apo të pushojnë. Ajo thotë se me më pak gjelbërim dhe më shumë betonim, lagjet nxehen më shumë gjatë verës dhe janë më të ekspozuara ndaj vërshimeve gjatë reshjeve.
Dardania dhe Rruga A
Dardania nisi të ndërtohej më 1978. Blloqet e banimit u vendosën përreth hapësirave ku sot dallohen shkolla, fushat sportive dhe shtigjet. Tetë vjet më vonë përfundoi Kurrizi.
Poshtë tij kalojnë veturat, ndërsa sipër banorët mund të ecin përgjatë blloqeve. Nga lart shihet çfarë përdorimi ka hapësira mes ndërtesave. Fëmijët luajnë në këndin e lojërave afër shkollës.
Te Rruga A, nga lart mund të ndjekësh aksin kryesor deri te rrethrrotullimet, prej nga rrugët anësore të çojnë te blloqet e ndërtesave. Këto grupe ngrihen mes shtëpive të ulëta dhe parcelave ku ende po ndërtohet.
Sipas Driton Tafallarit, profesionist i fushës së politikave të banimit, aktualisht i angazhuar si ekspert i jashtëm për politikat e banimit social në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ulpiana, Dardania dhe Bregu i Diellit, me gjithë mangësitë e tyre, janë shembuj të një koncepti tjetër të zhvillimit urban.
“Ato janë projektuar në bazë të një logjike të planifikimit të tërësishëm, ku ndërtesat nuk trajtoheshin si objekte të izoluara, por si pjesë të një tërësie urbane”, thotë Tafallari për REL.
Sipas tij, gjatë planifikimit të këtyre lagjeve u përcaktuan distancat ndërmjet ndërtesave dhe u parapanë hapësira të gjelbra, parqe, kënde rekreative, rrugë dhe hapësira për këmbësorë.
“Pra, është menduar jo vetëm se ku do të ndërtohet banesa, por edhe si do të zhvillohet jeta e banorëve përreth saj”, thotë ai për REL.
Sipas tij, dallimi kryesor është se dikur planifikohej fillimisht lagjja e më pas ndërtesat, ndërsa në ndërtimet e pasluftës, në shumë raste, përparësi u është dhënë ndërtesave ndërsa hapësira publike e infrastruktura mbetën në plan të dytë.
Lakrishtja
Në Lakrishtë, ndërtesat e larta të banimit ishin pjesë e lagjes që në vitet ’70. Në pamjen nga bulevardi “Bill Clinton”, blloqet e asaj periudhe dallohen bashkë me shkollën. Në të njëjtën pamje, një ndërtesë e lartë me fasadë xhami ngrihet në skaj të një hapësire të hapur mes ndërtesave. Në sfond dallohen ndërtimet e reja.
Në pamjen nga ana tjetër e bulevardit, ndërtesat e reja të banimit dhe objektet afariste qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Disa kanë baza të gjera që zënë një pjesë të madhe të hapësirës në nivelin e rrugës.
Sipas Tafallarit, një nga parimet themelore të urbanizmit është që ndërtesat e një lagjeje të planifikohen bashkë me rrugët, trotuaret, shkollat, çerdhet, parqet, hapësirat sportive, ujësjellësin, kanalizimin dhe ndriçimin publik.
Para se të lejohen ndërtime në shkallë të gjerë, thotë ai, duhet të sigurohet që infrastruktura dhe shërbimet publike të kenë kapacitet të mjaftueshëm për të gjithë banorët.
“Nuk mund të lejohet ndërtimi i qindra apo mijëra banesave pa u siguruar paraprakisht se ku do të shkollohen fëmijët, ku do të luajnë ata dhe si do të lëvizin banorët”, thotë Tafallari për REL.







