ZKA nis auditimin në katër komuna, në fokus një program që prek qytetarët
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës për planifikimin dhe zbatimin e Programit për Banim Social dhe të Përballueshëm në 4 komuna të Kosovës. Sipas njoftimit të ZKA-së, auditimi do të përfshijë komunat e Pejës, Istogut, Podujevës dhe Gjilanit, me fokus në mënyrën e planifikimit të programit dhe menaxhimin e fondeve publike,…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës për planifikimin dhe zbatimin e Programit për Banim Social dhe të Përballueshëm në 4 komuna të Kosovës.
Sipas njoftimit të ZKA-së, auditimi do të përfshijë komunat e Pejës, Istogut, Podujevës dhe Gjilanit, me fokus në mënyrën e planifikimit të programit dhe menaxhimin e fondeve publike, transmeton KosovaPress.
Përmes këtij auditimi do të vlerësohet nëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me komunat përkatëse, e ka hartuar programin duke u bazuar në nevojat reale të qytetarëve për strehim.
Po ashtu, ZKA-ja do të shqyrtojë nëse fondet publike janë menaxhuar në mënyrë efektive për realizimin e kontratave që lidhen me banimin social dhe të përballueshëm.
Auditimi synon të vlerësojë efektivitetin e planifikimit dhe zbatimit të programit, ndërsa rezultatet e tij pritet të tregojnë nëse institucionet përgjegjëse kanë arritur t’i përdorin fondet në përputhje me objektivat e përcaktuara.
ZKA-ja nuk ka bërë të ditur afatin e përfundimit të auditimit.