Nesër përurohet rruga “Frank Wisner” në Prishtinë, merr pjesë familja e diplomatit amerikan
Kuvendi Komunal i Prishtinës të martën do të mbajë të jashtëzakonshme për emërtimin e rrugës “Frank G. Wisner”. Emërtimi propozohet në nderim të diplomatit amerikan Frank G. Wisner, ish-emisar i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, për kontributin e tij në këtë proces dhe mbështetjen për pavarësinë e vendit. Pas miratimit të propozimit, kryetari…
Lajme
Kuvendi Komunal i Prishtinës të martën do të mbajë të jashtëzakonshme për emërtimin e rrugës “Frank G. Wisner”.
Emërtimi propozohet në nderim të diplomatit amerikan Frank G. Wisner, ish-emisar i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, për kontributin e tij në këtë proces dhe mbështetjen për pavarësinë e vendit.
Pas miratimit të propozimit, kryetari Përparim Rama, së bashku me familjen e Frank G. Wisnerit, do të shpalosin pllakën me emrin e rrugës, në ora 11:00.
Frank G. Wisner nga 2005-2008, nën administratën e George W. Bush, shërbeu si i Dërguar i Posaçëm i SHBA-së / Përfaqësues i Posaçëm i Presidentit dhe i Sekretarit të Shtetit për statusin e Kosovës.
Ai punoi krah për krah me emisarin special të OKB-së, finlandezin Martti Ahtisaari, për zgjidhjen e statusit përfundimtar, proces që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Në kohën kur statusi përfundimtar i Kosovës u rikthye në krye të agjendës ndërkombëtare, Wisner ishte tërhequr nga shërbimi i jashtëm.
Në nëntor 2005, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së emëroi ish-presidentin finlandez, Martti Ahtisaari, si të Dërguarin e Posaçëm të OKB-së për Procesin e Statusit të Ardhshëm të Kosovës. Në të njëjtin vit, SHBA emëroi Wisner si Përfaqësues të Posaçëm të Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit për Statusin e Kosovës.
Mandati i Wisner ishte të koordinonte qëndrimin amerikan me Grupin e Kontaktit, që përfshinte SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Rusinë, si dhe të mbështeste procesin e udhëhequr nga Ahtisaari.
Nga shkurti 2006 deri në fillim 2007, zyra e Ahtisaarit organizoi rreth 17 raunde bisedimesh direkte midis delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, si dhe krijoi grupe pune të ekspertëve për çështje si decentralizimi, mbrojtja e pakicave, trashëgimia fetare dhe tranzicioni ekonomik.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Wisner ishte ndërlidhësi kryesor amerikan. Ai lëvizte vazhdimisht mes Uashingtonit, Brukselit, kryeqyteteve kryesore evropiane, Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ishte i pranishëm me ekipin e Ahtisaarit në çdo fazë të punës për hartimin e dokumentit.
Në mars 2007, Ahtisaari ia paraqiti zyrtarisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së “Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, i shoqëruar me rekomandimin e tij që Kosova të kalonte drejt pavarësisë.
Të dielën, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme ku miratoi njëzëri deklaratën e pavarësisë, pas së cilës erdhën njohjet e para.
Kujtojmë, diplomati amerikan Frank G. Wisner ndërroi jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare.