Hoti: Qeveria s’mori masa kundër shtrenjtimit të rrymës, bizneset paguajnë fatura trefish më të larta

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë për mungesë të masave ekonomike për të përballuar pasojat e krizës globale të çmimeve, i cili thotë se nuk janë ndërmarrë politika të mjaftueshme për të lehtësuar barrën mbi bizneset dhe qytetarët. Sipas tij, ekonomia e Kosovës po përballet me norma të pamjaftueshme të…

Lajme

21/11/2026 10:47

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë për mungesë të masave ekonomike për të përballuar pasojat e krizës globale të çmimeve, i cili thotë se nuk janë ndërmarrë politika të mjaftueshme për të lehtësuar barrën mbi bizneset dhe qytetarët.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës po përballet me norma të pamjaftueshme të rritjes, ndërsa bizneset po rëndohen me fatura trefish më të shtrenjta nga kostot e larta të energjisë elektrike.

Në një intervistë për KosovaPress, Hoti thotë po ashtu se projektbuxheti për vitin 2027 nuk ka orientim për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai vlerëson se ndihmat e njëhershme për qytetarët dhe familjet nuk e zgjidhin problemin ekonomik, pasi, sipas tij, roli i një qeverie është të amortizojë ndikimin e krizave ndërkombëtare në ekonominë vendore.

“Ne kemi ndarë fatin e zhvillimeve globale gjithandej. Por, problemi është që nuk u ndërmorën masa që nga viti 2022 e këndej, për të lehtësuar barrën për ekonominë vendore, bizneset, qytetarët nga këto zhvillime ndërkombëtare, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të energjisë e mandej, të gjitha produkteve të tjera e mandej edhe çmimeve të derivateve. Shumica e vendeve në Evropë menjëherë i kanë ndërmarrë masa që nga viti 2022, që kanë qenë shtyrje e përkohshme e pagesës së tatimeve të ndryshme të zëmë, zvogëlimi i TVSH-së në mallra të konsumit, zvogëlimi i TVSH-së edhe i ngarkesave të tjera tatimore në gaz, në energji, në derivate. Asnjëra nga këto masa nuk është ndërmarrë në Kosovë. Përjashto ndihmat e njëhershme, për shkak ndoshta se ka pasur zgjedhje shumë në këto dy vjet, tri palë zgjedhje, ka pasur intervenime të caktuara nga qeveria si ndihmë e njëhershme për individë dhe për familje të caktuara, të cilat nuk e zgjidhin problemin. Është e vërtetë që është krijuar pasiguri globale, por roli i një qeverie të përgjegjshme është të ndërmerr masa që atë pasiguri globale dhe rrezik global ta amortizojë sa i përket ndikimit të saj tek ekonomia vendore. Ne e kemi ndjerë plotësisht këtë krizë dhe kemi rënë në norma të rritjes ekonomike që janë larg objektivave që kemi si ekonomi”, thotë Hoti.

Duke folur për sektorin e energjisë, Hoti ka kritikon anulimin e projekteve të Kosovës së Re dhe gazit, duke vlerësuar se vendi sot do të kishte kapacitete shtesë prodhuese dhe perspektivë më të mirë për sigurinë energjetike.

Ai thotë se edhe në fund të vitit 2026 nuk ka një vizion të qartë për zgjidhjen afatgjatë të problemit të energjisë.

Hoti nënvizon se shpenzimet për importin e energjisë, sipas tij, kanë qenë aq të mëdha sa me ato mjete do të mund të ndërtoheshin dy termocentrale.

“Dy projekte madhore të energjisë, që është Kosova e Re dhe projekti i gazit, të dyja janë anuluar nga kjo qeveri. Sot, unë jam i bindur që Kosova e Re ndoshta do ishte në funksion. Besoj se do të ishte kryer. Me gjithë ato vonesa që mund të kishin ndodhur, do të ishte kryer dhe sot do të kishim 500 megavat energji me 80 euro për megavat orë. Dhe për 20 vjet do ta kishim zgjidhur problemin jo vetëm për furnizim vendor, bashkë me termocentralet ekzistuese, por edhe për t’u bërë eksportues i energjisë, ndoshta 20-30 për qind do ta eksportonim. Ndërkaq projekti i gazit, ndoshta do të ishte diku, le të themi, në ndërtim e sipër. Asnjë nga këto projekte nuk u zgjidh. Problemi madhor është se as sot, që është fundi i vitit 2026, nuk ka vizion për vitet e ardhshme se si do të zgjidhet problemi i energjisë. Pra, edhe të kishim sot një vizion dhe projekt të qartë në fushën e energjisë, ne sot e dimë që edhe në pesë vjetët e ardhshëm, së paku, do të përballemi me të njëjtat probleme. Unë në baza ditore i shoh ankesat e bizneseve, të cilave iu trefishohen faturat e energjisë. Si mund të jenë konkurrentë bizneset e Kosovës me faturat e energjisë trefish më shtrenjtë se sa që kanë paguar më përpara. Dhe është aspekti tjetër i energjisë – aspekti i sigurisë. Një vend që nuk ka furnizim stabil me energji, e ka të rrezikuar edhe sigurinë kombëtare… 5:51 Dy termocentrale do të ishin ndërtuar me mjete që janë shpenzuar në import të energjisë”, tha Hoti.

Kritika adresoi edhe ndaj projektbuxhetit për vitin 2027, të cilin e ka cilësuar si planifikim kontabël, pa orientime të qarta për zhvillimin ekonomik.

“Buxheti është plan i keq kontabël që nuk mbërrin askund. Mos flasim mandej për orientime që janë pak më të avancuara, të zëmë politika fiskale. Çfarë do të bëjmë me politikat fiskale? Si do t’i zhvillojmë politikat industriale, sepse bota tash po kthehet kah politikat industriale të viteve të mëparshme, për shkak se gjithnjë më shumë bota po fragmentohet në tregti ndërkombëtare dhe secili vend po i kthehet politikave industriale për t’i zhvilluar sektorët ekonomikë në të cilët ka përparësi krahasuese vendi. Nuk bëhet fjalë për këto e as për politika fiskale, as industriale. Ka qenë para dy-tri vjetësh ligji për tatimin në pronë, e kemi kundërshtuar shumë atëherë futjen e tatimit progresiv në pronë, që nuk ka asnjë logjikë, sepse tatimi në pronë është progresiv për nga natyra. Sa më e madhe që është vlera e pronës, aq më i madh është tatimi. Vit pas viti, që tri vjet rresht me ligjin e buxhetit e shtyjnë edhe për një vit zbatimin e ligjit të tatimit në pronë. Pra, është një kaos i tërë”, nënvizon Hoti.

Sa i përket shpenzimeve buxhetore, ish-kryeministri ka ngritur shqetësimin për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale gjatë periudhës 2021-2026.

“Deficiti buxhetor në rastin tonë, për shkak të borxhit të ulët publik që kemi, është i planifikuar. Pra, çdo vit planifikohet në buxhet një deficit prej rreth 2 për qind. Por, kur vjen fundi i vitit, gati ky deficit shkon te zero, sepse nuk realizohet buxheti. Realizimi i investimeve kapitale vit pas viti është tepër i ulët. Pra, derisa në buxhet ta zëmë ose të marrim shifrën totale në vitet 2021-2026, buxheti total që Qeveria e Vetëvendosjes e ka menaxhuar, është 17 pikë diçka miliardë euro. Nga ato të planifikuara për investime kapitale kanë qenë 28 për qind. Por të realizuara vetëm 18 për qind. Pra, është një hendek i madh në mes të planifikimit dhe realizimit të investimeve kapitale. Unë besoj që nuk ka qytetar në Kosovë që mund t’i listojë projektet e ndërtuara këta gjashtë vjet që vijnë në këtë vlerë. Është e pakuptueshme ku kanë shkuar këto mjete. Shto këtu dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare që kemi ratifikuar në Kuvend, të cilat kanë mbetur në letër dhe shteti i Kosovës detyrohet të paguajë interes për ato kredi të marra”, potencon Hoti.

Hoti flet edhe për normën e rritjes ekonomike, duke vlerësuar se rritja mesatare prej rreth katër për qind në vitet e fundit nuk është e mjaftueshme për të krijuar vende pune dhe për të zvogëluar hendekun zhvillimor me vendet e rajonit.

“Shifrat janë ato që janë mesatarisht në këto pesë-gjashtë vjet, hiq vitin e pandemisë ku kemi pasur edhe rënie në vitin 2020 dhe rritje të konsiderueshme më 2021. Pra, nëse i heqim këto vite me oscilime të mëdha, rritja ekonomike ka shkuar diku rreth 4 për qind rritje vjetore ekonomike, që është e pamjaftueshme për të absorbuar numrin e madh të njerëzve që presin për punë dhe që i bashkohen forcës së punës çdo vit. Kosova në bazë të disa vlerësimeve profesionale duhet të ketë rritje ekonomike 6-7 për qind për të ngushtuar divergjencën me ekonomitë e rajonit, jo vetëm me ekonominë e Bashkimit Evropian. Ne po largohemi edhe nga rajoni. Rajoni po lëviz shumë më shpejt përpara se sa që po lëvizim ne dhe ajo çfarë po ndodh është ajo që në vend se të ketë një konvergjencë, po të dhënat tregojnë që hendeku në zhvillim ekonomik edhe në nivelin e të ardhurave për kokë banori po rritet”, nënvizon Hoti.