Ibrahimi: S’jemi kundër kontratës kolektive, por barrën financiare duhet ta bartë niveli qendror
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se AKK dhe kryetarët e komunave nuk kanë qenë asnjëherë kundër kontratës kolektive dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve të arsimit, por kundërshtojnë që shpenzimet për zbatimin e saj të mbulohen nga buxhetet komunale. Ibrahimi në një intervistë ka theksuar se Sindikata…
Lajme
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se AKK dhe kryetarët e komunave nuk kanë qenë asnjëherë kundër kontratës kolektive dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve të arsimit, por kundërshtojnë që shpenzimet për zbatimin e saj të mbulohen nga buxhetet komunale.
Ibrahimi në një intervistë ka theksuar se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBASHK), me rastin e nënshkrimit të kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të jetë në dijeni se mjetet financiare për zbatimin e saj duhet të sigurohen nga niveli qendror dhe jo t’u ngarkohen komunave.
“Mirëpo neve si asociacion që nga nënshkrimi i kontratës së parë dhe deri më tani, jemi kundër që mjetet financiare t’i mirren padrejtësisht komunave. SBASHK-u kur e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Arsimit, po besoj që kanë qenë në dijeni që ato mjete financiare duhet të sigurohen nga Ministria e Arsimit, sepse kanë qenë palë nënshkruese, e jo që SBASHK-u të nënshkruajë marrëveshje me ministrinë, kurse barrën financiare t’ia japë komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se kjo situatë përbën padrejtësi ndaj komunave, të cilat ndër vite janë ngarkuar me shpenzime të konsiderueshme financiare, përfshirë edhe kostot e proceseve gjyqësore, përmbarimore dhe të avokatëve.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës pas analizës së situatës, ka vendosur që t’i rekomandojë komunave që barrën financiare mos ta merr komuna, sepse deri më tani ju kanë marrë padrejtësisht komunave me qindra miliona euro, duke llogaritur këtu edhe proceset gjyqësore, përmbarimore dhe të avokatëve, kjo shumë është rritur mbi 30%, ku shumë miliona euro, me qindra miliona euro, më shumë se 100 milionë euro gjatë këtyre viteve të fundit kanë shkuar për procese gjyqësore, përmbarimore dhe avokatëve”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka paralajmëruar se nëse SBASHK-u kërkon nënshkrimin e një kontrate të re kolektive, komunat nuk duhet të konsiderohen bartëse të barrës financiare.
“Pra, SBASHK-u mos të llogarisë që në kontratën e re kolektive, nëse ajo nënshkruhet, që barrën financiare ta bartin komunat e Republikës së Kosovës, sepse me qindra projekte të komunave në infrastrukturë, në subvencione, mallra dhe shërbime janë ndërprerë për shkak të kontratës kolektive dhe neve po besojmë që SBASHK-u duhet t’i thirrë mendjes dhe nëse do kontratë të re kolektive, barrën financiare duhet ta bartë niveli qendror”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka theksuar se zgjidhja e kësaj çështjeje mund të bëhet përmes përcaktimit të një vije të veçantë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Edhe te vija buxhetore. Vijën buxhetore e përcakton niveli qëndror, domethënë edhe tash me dashtë niveli qëndror me e zgjidh këtë problem, mundet shumë lirshëm, mund ta vendosë një vijë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin e ardhshëm, ku disa miliona euro mund t’i dedikohen zbatimit të kontratës kolektive”, ka thënë Ibrahimi për Ekonomia Online.
Sipas tij, Ministria e Arsimit mund të propozojë një vijë buxhetore për mbulimin e kostos së kontratës kolektive, e cila më pas do të shqyrtohej dhe miratohej nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Ai ka sqaruar se Granti për Arsim propozohet nga Ministria e Arsimit në nivelin qendror dhe më pas përfshihet në buxhetin e Republikës së Kosovës, si grant i dedikuar për komunat, por se në të nuk parashihet mbulimi i kostos së kontratës kolektive.
“Granti për arsim është një grant i cili propozohet nga Ministria e Arsimit në nivelin qendror dhe pastaj Ministria e Arsimit, pas propozimit nga Ministria e Arsimit, niveli qendror e fut në buxhetin e Republikës së Kosovës, grant i cili është i dedikuar për komunat e Republikës së Kosovës, por në asnjë rast në këtë grant nuk parashihet që të mbulohet kostoja nga kontrata kolektive. Pra Ministria e Arsimit me dashtë mundet me fut një vijë buxhetore për mbulimin e kontratës kolektive, ajo shkon në qeveri, mund të aprovohet, shkon në parlament, aprovohet dhe problemi zgjidhet”, ka deklaruar ai.
Ibrahimi ka ritheksuar se SBASHK-u duhet që çështjen e financimit të kontratës së re kolektive ta adresojë te Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës, duke përjashtuar buxhetet komunale nga kjo përgjegjësi.
“Domethënë SBASHK-u nëse do kontrata të reja kolektive, duhet barrën financiare ta mendojë që Ministria e Financave apo Qeveria e Republikës duhet ta bartë barrën financiare e në asnjë moment mos llogarisin që komunat mund ta mbulojnë këtë barrë të jashtëzakonshme financiare, e cila ka dëmtuar me qindra projekte të cilat do të shkonin në përmirësimin e jetës së qytetarit”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së ka bërë të ditur se çështja e kontratës së re kolektive është diskutuar edhe në një takim të Kolegjiumit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku kanë marrë pjesë drejtorët komunalë të arsimit, ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku dhe përfaqësues të SBASHK-ut.
“Kolegjiumi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i përbërë nga drejtorët komunal të arsimit, ka qenë në një takim të përbashkët ku ka qenë edhe Ministri Çeku, edhe përfaqësues të SBASHK-ut, është diskutuar sa i përket kontratës së re kolektive, mirëpo në dijeninë time edhe në atë kohë drejtorët komunal ia kanë bërë me dije që janë për kontratë të re kolektive, por që barrën financiare duhet ta bartë Ministria e Arsimit e në asnjë mënyrë komunat”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se të njëjtin qëndrim e kanë diskutuar edhe me disa nga drejtorët komunalë të arsimit dhe se ky është edhe qëndrimi i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Konkluza edhe e bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës është që SBASHK-u mund të nënshkruajë kontratë të re kolektive, mirëpo asesi të mos llogarisë në buxhetet komunale”, ka përfunduar Ibrahimi.
Ditë më parë Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të SBASHK-ut, të cilët, sipas tij, po ua atribuojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.
Në një reagim publik, Bordi i AKK-së ka thënë se komunat i kanë respektuar dhe mbështetur gjithmonë të drejtat e punëtorëve arsimorë, por nuk kanë kapacitete buxhetore për t’i mbuluar detyrimet financiare që dalin nga këto kontrata.
Sipas AKK-së, marrëveshjet janë negociuar dhe nënshkruar në nivel qendror, prandaj edhe përgjegjësia për sigurimin e mjeteve financiare duhet të jetë e institucioneve qendrore.