Policia e Shqipërisë jep detaje mbi alarmin për bombë në avion

Policia e Shqipërisë ka reaguar pas raportimeve se në avionin Manchester – Tiranë, u alarmua për praninë e një bombe. Sipas policisë, në tualetin e avionit ishte gjetur një letër në gjuhë angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe. “Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në…

Lajme

20/11/2026 23:01

Policia e Shqipërisë ka reaguar pas raportimeve se në avionin Manchester – Tiranë, u alarmua për praninë e një bombe.

Sipas policisë, në tualetin e avionit ishte gjetur një letër në gjuhë angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë” deklaron policia.

Bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në avion nuk është konstatuar asgjë shpërthyese.

Ky është njoftimi i plotë:

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.