Vlora Çitaku dhe Bedri Hamza shihen duke hyrë brenda qeverisë, takim me Kurtin para seancës
Ish-kryetari i PDK-së, Bedri Hamza si dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së partisë, Vlora Çitaku janë parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës. Edhe pse nuk është paralajmëruar, Çitaku dhe Hamza sipas informacioneve do të takohen me kryeministrin Albin Kurti, raporton lajmi.net. Ky takim i dyshes me Kurtin vie pasi PDK-ja kërkoi…
Lajme
Ish-kryetari i PDK-së, Bedri Hamza si dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së partisë, Vlora Çitaku janë parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Edhe pse nuk është paralajmëruar, Çitaku dhe Hamza sipas informacioneve do të takohen me kryeministrin Albin Kurti, raporton lajmi.net.
Ky takim i dyshes me Kurtin vie pasi PDK-ja kërkoi që të rikthehet në Kuvend sërish Ligji për Specialen, edhe pse nuk u ndryshua asgjë në të.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca, e në rend dite si fillim është edhe Ligji për Specialen.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është kthyer në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim dhe pritet të votohet pa ndryshime nga teksti i miratuar në tetor.
Ndryshe më 22 tetor 2026, presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin në Kuvend pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Çështja është vendosur në rend dite për rishqyrtim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës e cila pritet të zhvillohet sot.
Kurse Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se ndryshimet në këtë ligj prekin detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe ka kërkuar konsultime paraprake.
Ushtruesja e detyrës e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku tha se ligji i ri ka për qëllim që të kthejë në binarë Gjykatën Speciale por jo shuarjen e saj.
“Nisma e re ligjore dhe Ligji që tashmë është në Kuvend nuk e ka për synim as shmangien nga drejtësia, as shuarjen e Gjykatës Speciale. Nisma e re ligjore ka për qëllim që ta kthejë në binarë të drejtë një mekanizëm gjyqësor që e ka themelu Kuvendi por që ka devijuar tërësisht nga mandati i saj edhe nga arsyeja pse është themeluar. Për përmbajtjen e detajuar për ligjin e ri do të ketë një konferencë tjetër”- tha Çitaku më 17.11.2026.Çitaku tha se pas votimit të Ligjit për Specialen, i cili është kthyer nga presidentja e Kosovës, do të nisin procesin e amendamentimit.
“Ligj për të cilën na kanë ardhur rekomandime nga miq të shumtë, profesionistë e shumë rekomandime të cilat do ta fuqizojnë ligjin dhe do ta rrisin qëndrueshmërinë e ligjit në raport me ata që do të mund ta sfidojnë. Ne e kemi ditur, nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë. E kemi ditur që do të kemi pengesa, e kemi ditur që ligji do të kontestohet nga bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht nga BE. Ne i bëjmë thirrje BE-së në konsultimet tona ”- ka deklaruar Çitaku.
Gjykata Speciale më 16.09.2026, i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet./Lajmi.net/