Raportohet për sulm kibernetik në Komisionin Evropian, preket edhe sistemi i menaxhimit të pagave
Një sulm kibernetik ndaj Komisionit Evropian ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të brendshme për më shumë se 10 ditë dhe mund të ketë vënë në rrezik të dhënat personale të mijëra punonjësve. Sulmi ka penguar funksionimin e sistemeve përmes të cilave regjistrohen pagat, pushimet dhe shpenzimet mjekësore, ndërsa autoritetet ende po hetojnë nëse të dhënat…
Bota
Një sulm kibernetik ndaj Komisionit Evropian ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të brendshme për më shumë se 10 ditë dhe mund të ketë vënë në rrezik të dhënat personale të mijëra punonjësve. Sulmi ka penguar funksionimin e sistemeve përmes të cilave regjistrohen pagat, pushimet dhe shpenzimet mjekësore, ndërsa autoritetet ende po hetojnë nëse të dhënat janë vjedhur.
Sipas raportimit të POLITICO Playbook, ndërprerjet kanë zgjatur më shumë se 10 ditë, ndërsa zyrtarët e BE-së ende nuk e kanë të qartë përmasën e plotë të dëmit dhe nëse të dhënat e stafit janë komprometuar.
“Komisioni beson se ka arritur ta frenojë pjesën më të madhe të sulmit, por përmasat e plota të dëmit të mundshëm mbeten ende të paqarta”, tha për Playbook një zyrtar i BE-së, në kushte anonimiteti.
Sipas CERT-EU-së, organit përgjegjës për sigurinë kibernetike të institucioneve të BE-së, hakerët kishin përdorur ARTEX-in, një mjet publik të bazuar në inteligjencën artificiale, i cili shërben për identifikimin e dobësive në sistemet e teknologjisë informative.
Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht, ndërsa shumica e tyre tashmë janë rikthyer në funksion.
Ndër sistemet e prekura ishte edhe Sysper, platforma për menaxhimin e burimeve njerëzore, përmes së cilës trajtohen fletëpagesat, kërkesat për pushim dhe orari i punës. Po ashtu, ishte prekur edhe MyPMO, sistemi për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.
Komisioni Evropian ka aktivizuar mekanizmat e brendshëm të menaxhimit të krizave dhe ka shtuar kontrollet e sigurisë. Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e Kolegjit të Komisionerëve, ku komisionerja për teknologjinë, Henna Virkkunen, ka informuar kolegët për masat e ndërmarra.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, konfirmoi se institucionet kanë ndërmarrë hapa për t’iu përgjigjur fushatës kibernetike dhe se personat e prekur janë informuar.
Ky incident vjen në një periudhë kur disa institucione dhe kompani të mëdha ndërkombëtare janë përballur me sulme kibernetike dhe ndërprerje të shërbimeve, përfshirë Microsoft-in, banka amerikane, NSA-në, Air France, BBC-në dhe Zoom-in.