Skandal në Komisionin për vrasjen e Arlindës | Baloku i VV-së del krejt jashtë teme, e pyet Muhaxherin për sulmin ndaj tij në vitin 2024

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka shkaktuar diskutime gjatë intervistimit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, duke parashtruar pyetje që nuk lidheshin drejtpërdrejt me objektin e hetimit. Në vend që të fokusohej te rasti për të cilin ishte thirrur Muhaxheri, Baloku e pyeti atë për…

Lajme

18/11/2026 19:20

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka shkaktuar diskutime gjatë intervistimit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, duke parashtruar pyetje që nuk lidheshin drejtpërdrejt me objektin e hetimit.

Në vend që të fokusohej te rasti për të cilin ishte thirrur Muhaxheri, Baloku e pyeti atë për një incident të ndodhur më 26 tetor 2024 në Pejë, ku kryetari i kësaj komune ishte sulmuar fizikisht nga dy persona, transmeton lajmi.net.

“Çfarë ka ndodhur në incidentin kur ju dhe një qytetar tjetër jeni parë duke u përleshur?”, ishte pyetja e Balokut.

Kjo pyetje nxiti reagimin e disa anëtarëve të Komisionit, të cilët ia kujtuan deputetit se çështja ishte jashtë temës së hetimit.

Edhe kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, kërkoi nga Baloku të shpjegonte se çfarë relevance kishte ky incident për qëllimin e hetimit.

“ Mësojmë nga ky rast për ta kuptuar edhe këtë rastin tjetër se mos ka pasë ndonjë ndërhyrje”, u përgjigj Baloku.

Ndërkaq, Muhaxheri refuzoi të përgjigjej, duke vlerësuar se pyetja nuk kishte të bënte me temën e Komisionit.

Në fund, kryetari i Pejës bëri edhe një koment lidhur me mënyrën se si po parashtroheshin pyetjet.

“Njerëzve po ju vijnë pyetjet me SMS prej dikujt tjetër, e ato nuk është mirë me u adresu”, deklaroi Muhaxheri./lajmi.net/